Opozita e vendosur të pengojë zgjedhjen e Thaçit si president

Partitë opozitare sot kanë nisur një protestë më ndryshe në sheshin e Prishtinës, ku kanë vendosur tenda dhe do të qëndrojnë aty gjatë tërë kohës.

Lajme

23/02/2016 20:24

Ndërkaq, kryesia e PDK-së, në mbledhjen e sotme, mori  vendim që të premten të mbahet seanca për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e  presidentit të Kosovës.

Deputetët e opozitës për lajmi.net kanë thënë se  do të vazhdojnë protestën e tyre, qoftë në shesh, e qoftë në Kuvend, për të pamundësuar zgjedhjen e Thaçit si president dhe për rrëzimin e qeverisë.

Rexhep Selimi, deputeti i partisë më të madhe  opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, në  prononcim për lajmi.net tha se opozita do protestojë ku të jetë e nevojshme, qoftë në shesh apo Kuvend.

“Ne jemi në protestë, qoftë në Kuvend qoftë jashtë kuvendit. Deputetët e opozitës janë në protestë edhe në shesh edhe në Kuvend. Ne jemi në protestë dhe kudo që ta shohim të nevojshme, ne do të jemi”, tha Selimi.

Ndonëse opozita nuk pranon të tregojë se me çfarë formash do të mundohet të pengojë seancën solemne ku do të zgjidhet presidenti, që prej fillimit të krizës politike, opozitarët kanë përdorur gazin lotsjellës brenda Kuvendit, për të pamundësuar punën e organit legjislativ.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se prej sot, opozita ka filluar me një formë të re të protestës, të cilat sipas saj, do të çojnë në rrëzimin e Qeverisë.

“Sot është fillimi i fundit të kësaj qeverie. Ne kemi ndërruar mënyrën e protestës. Tash jemi bashkë me qytetarët në sheshin ‘Skënderbeu’, ‘Nënë Tereza’ dhe ‘Zahir Pajaziti’. Do të qëndrojmë aty deri në rrëzimin përfundimtar të kësaj qeverie”, tha Kadaj-Bujupi për lajmi.net.

Ndërkaq, duke folur për zgjedhje e Thaçit si president, ajo tha se AAK-ja së bashku me dy partitë e tjera në opozitë, tashmë e kanë bërë të qartë se do të mundohen që me çdo formë, të parandalojnë një zgjedhje të tillë. Por ajo hezitoi të tregojë  nëse do të hidhet sërish gaz lotsjellës sërish në Kuvend.

“Qëndrimi i përbashkët i opozitës është veçse i njohur. Ne konsiderojmë se në këtë fazë ky pushtet nuk ka legjitimet për të proceduar tutje me çfarëdo përpjek për të improvizuar seanca edhe për zgjedhjen e presidentit apo çfarëdo seance tjetër”.

Ajo madje kërkoi nga deputetët e pozitës veçanërisht ata të LDK-së, që të reflektojnë dhe me votën e tyre të pamundësojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit si president të Kosovës.

“Ne e kemi bërë të njohur qëndrimin tonë. Do të angazhohemi me të gjitha fuqitë që të ndalojmë këtë zgjedhje të dëmshme. Do të thërras edhe deputetët e pozitës, veçmas deputetët e LDK-së që të dalin nga petku partiak dhe të veprojnë në të mirë dhe interes të vendit, duke refuzuar që të bëhen pjesë e një procesi jolegjitim dhe në rast që përpiqen ta çojnë përpara në këtë formë do t’i kushtoj rënd kosovës dhe në të ardhmen”, tha ajo.

“Ne thërrasim që të reflektojnë edhe deputetët e PDK-së për zgjedhjen e presidentit dhe të mos e marrin në qaf Kosovën”, tha Kadaj-Bujupi.

Edhe shefja e GP-së së Nismës për Kosovë, Valdete Bajrami tha se partia e saj është e vendosur për të protestuar për rrëzimin e qeverisë dhe kundër zgjedhjes së presidentit.

“Ju e dini qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe e dini se si do të veprojmë. Sidoqoftë, protesta në shesh ka filluar dhe ne jemi në shesh për çdo rast”, tha Bajrami për lajmi.net.

Ndryshe, që prej shtatorit të vitit të kaluar, tri partitë opozitare kanë penguar punën e Kuvendit të Kosovës.

Fillimisht ata kanë kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga Marrëveshja e Asociacionit e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe nga Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Më pas ata thanë se Qeveria ka shkelur Kushtetutën dhe ka humbur legjitimitetin, andaj si zgjidhje shohin shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme./lajmi.net