Opozita dhe rebelët sirianë refuzojnë bisedimet e propozuara nga Rusia

Luftëtarët rebelë dhe grupet opozitare në Siri kanë refuzuar propozimin e Rusisë për bisedime rreth paqes, duke akuzuar Moskën se ka dështuar që t’i bëjë presion aleatit të saj, presidentit Bashar al-Assad për të përfunduar konfliktin.

Bota

26/12/2017 16:00

Përmes një serie të deklaratave, 40 grupe rebele, duke përfshirë disa nga emrat më të njohur në Siri, si dhe politikanë opozitarë kanë thënë se bisedimet e muajit të ardhshëm janë tentim për t’iu “shmangur” procesit të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara që nuk ka arritur asnjë përparim prej kur ka nisur dialogu më 2014, transmeton AP.

Grupet rebele kanë thënë se Moska u ka kërkuar atyre që të heqin dorë nga kërkesa për shkarkimin e Assadit.

“Ne e kundërshtojmë këtë dhe konfirmojmë se Rusia është një agresor që ka kryer krime kundër sirianëve”, thuhet në deklaratën e këtyre grupeve.

Grupet rebele dhe një numër i grupeve të Ushtrisë së Lirë Siriane, kanë thënë se janë të përkushtuar ndaj procesit të Gjenevës të udhëhequr nga OKB-ja dhe i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të ndalur gjakderdhjen, tashmë në vitin e shtatë të konfliktit.

Negociatat janë planifikuar të mbahen më 29-30 janar në Soçi, pas bisedimeve në mes të Rusisë dhe Iranit, të cilat e mbështesin qeverinë dhe Turqisë e cila përkrah opozitën.

Qeveria siriane ka thënë se do të jetë pjesë e bisedimeve.
Assad u ka thënë gazetarëve se në bisedimet e kësaj rradhe do të diskutojë për zgjedhjet e reja dhe potencialisht ndryshimin e kushtetutës.

Bisedimet në Soçi pritet të hapin rrethin e katërt të bisedimeve në mes të palëve në konflikt.

Rusia ka nisur fushatën e saj ajrore në Siri në shtator të vitit 2015, duke kthyer luftën civile në favor të Assadit.

Më herët gjatë këtij muaji presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar një tërheqje të pjesshme të trupave nga Siria, ndonëse Rusia është e vendosur që të ketë prezencë ushatarake në këtë vend.