Opozita bashkohet në Kuvend, jo në restaurante

Deputeti nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se ka munguar një unifikim i opozitës për ta rrëzuar qeverinë aktuale. Sipas tij, sikur të ishin të gjitha partitë si Vetëvendosje, Hashim Thaçi “moti do ta kishte harruar ndjenjën e të qenit Kryeministër”.

Lajme

25/01/2014 09:45

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, mendon se sikur të kishin qenë të gjitha partitë opozitare si Vetëvendosje, Qeveria Thaçi “do t’i takonte së kaluarës”.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, Selimi thotë se subjekti i tij ka kërkuar unifikim të opozitës që ta rrëzojnë qeverinë, por nuk ka pasur një gjë të tillë.

“Dihet se opozita nuk është unike andaj kemi këso Qeverie”.

“Veç një gjë dihet qartë, se po të ishin gjithë opozita siç është Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria Thaçi do t’i takonte së kaluarës”.

“Kemi kërkuar që i gjithë spektri opozitar të bashkohemi për t’i dhënë fund keqqeverisjes aktuale”.

“Edhe sot jemi të gatshëm të kemi unifikim të rolit opozitar. Jemi të gatshëm të bëhemi bashkë në oponencë kundër Qeverisë, por nuk mund të bëhemi bashkë nëpër restaurante, por në Kuvendin e Kosovës”.

Rexhep Selimi i është kundërpërgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të AAK’së, Burim Ramadanit, i cili e kishte cilësuar Vetëvendosjen, krahas edhe LDK’së, si parti që merr urdhra nga PDK’ja.

“Ne jemi Vetëvendosje, jo AAK”, ka thënë Rexhep Selimi.