OPEC kundër shtimit të prodhimit, lirohet nafta

Më shumë se gjashtë orë bisedime në Vjenë nuk kanë mjaftuar që vendet e OPEC-ut të bien dakord për të ulur prodhimin e naftës, kërkesë kjo e disa shteteve më të mëdha prodhuese për të ndalur uljen e çmimit të “arit të zi” në tregjet botërore.

Bota

27/11/2014 21:25

Nëse do të ishte vendosur ulja e prodhimit, kjo do të ishte hera e parë që do të ndodhte që nga viti 2008, kur këto vende reduktuan prodhimin për të ndalur uljen e çmimit si pasojë e krizës financiare globale.

Analistët thonë se ulja me 1.5 milion fuçi në ditë e prodhimit nga ana e OPEC-ut do të mjaftonte për të ndalur rënien e mëtejshme të çmimit të naftës. Por Arabia Saudite, prodhuesi më i madh i kësaj organizate prej 12 anëtarësh, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe refuzuan këtë kërkesë, raporton Top Channel.

“Nuk do të na zërë paniku. Kjo nuk është hera e parë që ndodh. Nuk është e para krizë që mbjell shqetësim. I kemi parë çmimet të mbërrijnë nivele edhe më të ulëta se kaq. Ne nuk jemi të interesuar në zgjidhje afatshkurtra, sepse e dimë që nuk zgjasin”, tha Mohamed al Mazrui, përfaqësues i Arabisë Saudite në OPEC.

Mungesa e një marrëveshje u reflektua menjëherë në tregjet globale. Marka evropiane e naftës, Brent ra me 7 pikë, duke zbritur në 72.60 dollarë për fuçi, ndërsa në Shtetet e Bashkuara ulja ishte edhe më e madhe, 69 dollarë për një fuçi.

Ky vendim i OPEC godet më fort vendet si Rusia, Nigeria dhe Venezuela, të cilat për të përmbushur objektivat e tyre ekonomikë duhet të shesin me të paktën 90 dollarë fuçinë.

Në Moskë rubla ruse u zhvlerësua sërish me 2.5 për qind. Rusia nuk është anëtare e OPEC-ut, por përpara mbledhjes kishte kërkuar solidaritet nga vendet anëtare të organizatës. Kjo për shkak se gjysma e të ardhurave të ekonomisë Rusia i siguron nga nafta dhe gazi dhe rënia e çmimeve, shto edhe sanksionet e Perëndimit, po vendosin nën një trysni të madhe ekonominë ruse. (Top-Channel)