Ombudspersoni: Jeta e punëtorëve të KEK-ut është e pasigurt

Punëtorët e KEK-ut punojnë në kushte që nuk ofrojnë siguri për jetën e tyre, ka vlerësuar Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. 

Lajme

06/06/2014 19:21

Zyra e Avokatit të Popullit, përmes një deklarate dërguar mediave ka konstatuar se “gjendja e infrastrukturës së Termoelektranave nuk e ofron sigurinë e nevojshme për jetën e punonjësve të KEK-ut, si dhe mungojnë masat e mjaftueshme për mbrojtjen në punë”. 

Ky konstatim është bërë pasi Avokati i Popullit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas kontakteve me organet kompetente të KEK-ut. Në komunikatë gjithashtu thuhet se “rasti që ka ndodhur, ka nxjerrë në pah mungesën e udhëzimeve për menaxhimin e situatave dhe komunikimin në raste krizash”. 

Në vendin e ngjarjes, Avokati i Popullit ka parë se përreth hapësirës ku shtrihet termocentralet ka mbretëruar gjendje kaotike. Avokati i Popullit ka shprehur keqardhjen e thellë për viktimat e kësaj fatkeqësie, ndërkaq të lënduarve, të cilët gjithashtu janë vizituar nga përfaqësuesit e IAP-së në Qendrën Klinike Universitare, ju uron shërim të shpejtë.