OKB voton pro hetimit për vrasjet në Gaza

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka votuar pro dërgimit të një ekipi hetues ndërkombëtar për krimet e luftës, në mënyrë që të hetohen vrasjet e protestuesve në Gaza nga forcat izraelite.

Bota

18/05/2018 19:38

Vetëm dy prej 47 anëtarëve të Këshillit, Shtetet e Bashkuara dhe Australia votuan kundër rezolutës. Ndërsa, 29 votuan për dhe 14 abstenuan, përfshirë Britaninë e Madhe, Zvicrën dhe Gjermaninë.

Në rezolutë thuhet se një ekip ndërkombëtar duhet t’i hetojë të gjitha shkeljet dhe abuzimet e pretenduara, në kontekstin e sulmeve ushtarake në protesta civile.

Shefi i Këshillit për të drejtat e njeriut, Zeid Raad Al Hussein, në një deklaratë këmbënguli se shumë prej të lënduarve dhe të vrarëve ishin tërësisht të paarmatosur.

Ndryshe, ambasadori izraelit në OKB, Aviva Raz Shechter, këtë rezolutë e quajti “të turpshme dhe të njëanshme”

“Hamasi është ai që kryen krime lufte”, tha Shechter.

Nga protestat në Gaza, janë vrarë 60 persona dhe mijëra të tjerë janë plagosur.