OKB shpall të pavlefshëm Referendumin e Krimesë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar në favor të rezolutës “Integriteti Territorial i Ukrainës” , duke e shpallur të pavlefshëm referendumin për ndarjen e Krimesë nga Ukraina.

Bota

27/03/2014 18:41

Rezolutën e  votuan 100 shtete, 11 ishin kundër, ndërsa 58 vende abstenuan.

Kundër rezolutës votuan Armenia, Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Koreja Veriore, Nikaragua, Rusia, Sudani, Siria, Venezuela dhe Zimbabe.

Ministri i jashtëm ukrainas, Andriy Deshchytsya, theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare të sigurisë janë “komprometuar seriozisht” me aneksimin e papranuar të Krimesë nga ana e Rusisë.

Më pas morri fjalën ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, i cili i mbrojti aksionet e vendit të tij dhe e kundërshtoi rezolutën, duke e cilësuar si “konfrontuese”.

Për dallim nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ku pesë vende e kanë të drejtën e vetos, kundër rezolutave të miratuara në Asamblenë e Përgjithshme nuk mund të shfrytëzohet vetoja.

Por, rezolutat e miratuara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk janë obliguese.

(Kosovapress)