OKB: Pritet votimi për hetimin e sulmeve kimike në Siri

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet që sot më vonë gjatë ditës të votojë nëse do ta vazhdojë mandatin e hetimit ndërkombëtar të sulmeve me armatim kimik në Siri.

Bota

24/10/2017 08:55

Megjithatë, fati i këtij hetimi, i njohur me emrin Mekanizmi i Përbashkët Hetues (JIM), mbetet i paqartë, pasi Rusia është kërcënuar se do ta përdorë të drejtën e vetos për shkak të asaj që Moska pretendon se është hetim me paragjykim për sulmin me gaz sarin në muajin prill të këtij viti.

Ky hetim paraqet një përpjekje të përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin e Armatimit Kimik (OPCW).

Mandati i hetimit do të kalojë më 18 nëntor, nëse ai nuk zgjatet.

Shtetet e Bashkuara e kanë qarkulluar në propozim rezolutë me të cilën parashihet zgjatja e mandatit edhe për një vit, megjithqë Moska ka thënë se dëshiron ta shikojë raportin e paraparë që të publikohet pas dy ditësh, para se të përcaktohet për qëndrimin e saj ndaj këtij propozimi.

Rrjedhimisht, nuk është e qartë se si do të veprojë Rusia nëse votimi mbahet sot, apo ai do të shtyhet derisa të publikohet raporti i përmendur më 26 të këtij muaji.