OKB me sanksione të ashpra ndaj Koresë së Veriut

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, njëzëri miratoi një raund të ri sanksionesh të ashpra ndaj Koresë së Veriut në përgjigje të provës së saj bërthamore të tre shtatorit me një bombë me hidrogjen.

Bota

12/09/2017 14:21

“Sot po e themi se bota nuk do ta pranojë kurrë një Kore të Veriut me armë bërthamore”, i tha Këshillit të Sigurimit të hënën në mbrëmje, ambasadorja amerikane në Nikki Haley. “Dhe sot Këshilli i Sigurimit po thotë që nëse regjimi i Koresë së Veriut nuk e ndalon programin bërthamor, ne do të veprojmë për ta ndaluar atë”.

Ambasadorja Haley tha se dispozitat e rezolutës do të shkurtojnë në mënyrë drastike aftësitë e Koresë së Veriut për të financuar programin e saj bërthamor dhe të raketave balistike.

Nëse zbatohen në tërësi, sanksionet do të shkurtojnë një të tretën e importeve të naftës në Korenë e Veriut, që Haley e cilësoi si “gjak jetëdhënës”, për përpjekjet e saj për të zhvilluar armët bërthamore.

Rezoluta mes tjerash ndalon plotësisht importin e gazit natyror dhe zëvendësuesve të tjerë të naftës.

“Nuk jemi të kënaqur me forcimin e mëtejmë të sanksioneve”, tha ajo. “Ne nuk po kërkojmë luftë. Regjimi i Koresë së Veriut nuk e kaluar pikën prej nga nuk ka kthim. Nëse pajtohet që të ndërpresë programin bërthamor, ai mund të shohë drejt së ardhmes. Nëse dëshmon se dëshiron të jetojë në paqe, bota është e gatshme te jetojë në paqe me të”.

Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara dërguan mesazhe të tjera kur Këshilli u mblodh pas provës bërthamore të Koresë së Veriut, duke tërhequr vërejtjen se Kim Jong Un “po lutet për luftë” dhe duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë durim të pakufishëm. Presidenti Donald Trump, po ashtu vazhdimisht ka përsëritur se të gjitha mundësitë janë në tryezë.

Masat e reja të miratuara të hënën synojnë të nxisin diktatorin koreano verior të ndryshojë përllogaritjet e tij.

Rezoluta gjithashtu ndalon eksportet e tekstilit të Koresë së Veriut aktualisht industria e tij e dytë më fitimprurëse – që Haley tha se do t’i kushtonte Phenianit rreth 800 milionë dollarë në vit. Aj po ashtu mund të shkurtojë deri në gjysmë miliardë dollarë të ardhura të fituara nga puna e rreth 100 mijë qytetarëve të saj që punojnë jashtë vendit, e të cilët janë të detyruar të kthejnë shumicën e fitimeve të tyre tek qeveria.

“Kur sanksioneve të reja të forta t’u shtohen edhe ato të miratuara në muajin e kaluar, atëherë mbi 90 për qind e eksporteve të raportuara të Koresë së Veriut do të jenë të shkurtuara”, tha Haley.

Shtetet e Bashkuara nuk arritën tërë atë që shpresuan me rezolutën e re. SHBA kërkoi embargo të plotë të naftës, ngrirjen e pasurive të Kim Jong Unit si dhe autorizim për përdorimin e forvcës ushtarake, nëse është e domosdoshme, për të penguar anijet që mund të përdoren për kontrabandën e mallrave të ndaluara.

Washingtoni u detyrua të bëjë lëshime serioze për të përfituar mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës për sanksionet e reja. Të dyja këto vende mbështetën rezolutën, por shprehën përkushtimin e tyre për të kërkuar zgjidhje nëpërmjet dialogut.

Japonia mirëpriti unitetin e Këshillit të Sigurimit për ndërmarrjen e masave më të rrepta.

“Mendoj se jemi në një mendje se nuk po kërkojmë një zgjidhje ushtarake”, u tha gazetarëve ambasadori Koro Bessho. “Ne i shohim sanksionet si një mjet për të siguruar zgjidhje paqësore të problemit”.

I dërguari i Koresë së Jugut, Cho Tae-yul, tha se sanksionet janë mundësia e vetme për ta kthyer Phenianin në tryezën e bisedimeve. “Synimi ynë nuk është gjunjëzimi i Koresë së Veriut, por një zgjidhje paqësore”, tha ai.

Koreja e Veriut tha më herët të hënën se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë një “çmim të lartë” nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton sanksione të reja për Phenianin.