OKB kundër diskriminimit të homoseksualëve në Kirgizi

OKB ka ngritur shqetësim lidhur me aprovimin e ligjit kundër homoseksualëve në shtetin e Kirgizisë. 

Bota

24/10/2014 15:41

Komisionieri i lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut i ka bërë thirrje qeverisë në Kirgizisë që të mos e miratojë projektligjin kundër homoseksualëve.

Deklarata e lëshuar sot nga OKB thotë se draft-ligji shkelë të drejtat fondamentale të njeriut, përfshirë të drejtat e lirisë, sigurisë, integritetit fizik dhe të lirisë së shprehjes.

Javën e kaluar, Parlamenti i Kirgizisë ka miratuar në lexim të parë draft-ligjin përmes të cilit personat që promovojnë të drejtat e homoseksualëve, të dënohen me një vit burg.

Ligji përfshin edhe gazetarët të cilët shkruajnë për të drejtat e homoseksualëve dhe po ashtu ndalon formimin e grupeve për të drejtat e çifteve të të njëjtës gjini.

Tani pritet që draft-ligji të kalojë edhe dy leximet në parlament dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti./REL/