OKB-ja i lë pa bukë refugjatët sirianë

Programi Botëror i Ushqimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka pezulluar ndihmën për 1.7 milion refugjatë sirianë, për shkak të krizës financiare, ka njoftuar të marën zyra e kësaj agjencie në Romë.

Bota

02/12/2014 12:06

Deri më tani Agjencia e Kombeve të Bashkuara (Programi Botëror i Ushqimit ) u kishte dhënë refugjatëve sirianë në Jordani, Liban, Turqi, Irak dhe Egjipt kupona për të blerë ushqime në dyqane.

Pasojat e ndalimit të ndihmës mund të jenë “shkatërruese”, mirëpo drejtori i Programit Botëror të Ushqimit, Ertharin Cousin, ka thënë se nuk ka rrugë tjetër, pasi sipas tij agjencisë i duhen 64 milionë dollarë për të mbështetur refugjatët sirianë vetëm gjatë dhjetorit.

Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, mbi tre milionë njerëz kanë ikur nga Siria që prej fillimit të luftës civile në mars të vitit 2011, ndërsa mbi 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Kryengritja kundër presidentit Bashar al-Assad, e cila më pas shpërtheu në një luftë sektare dhe solli në skenë edhe organizatën e “Shtetit Islamik”, deri më tani ka marrë jetën e më shumë se 200 mijë sirianëve, shumica civilë.