OKB: Irani ka furnizuar me armë rebelët në Jemen

Një panel i Kombeve të Bashkuara, ka treguar përmes një raporti, se Irani ka shkelur një ndalim që i është bërë nga OKB-ja lidhur me armët, duke furnizuar në mënyrë direkte apo indirekte me raketa dhe dronë rebelët shiit në Jemen.

Bota

13/01/2018 10:16

Bazuar në disa pjesë të raportit të siguruara nga diplomatët dhe mediat, thuhet se ky panel ka udhëtuar në Arabinë Saudite gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, ku janë analizuar mbetjet e raketave të nisura nga rebelët huthi.

Të njëjtat vizita janë bërë edhe në maj dhe korrik.

Sipas tyre, Irani ka prodhuar armët, të cilat i kanë përdorur rebelët huthi për t’i nisur drejt Arabisë Saudite.

Arabia Saudite udhëheq koalicionin, i cili mbështet qeverinë dhe lufton rebelët huthi në luftën civile të Jemenit.

Për më shumë, paneli ka thënë se mbetjet e raketave kanë qenë “pothuajse të njëjtat që prodhohen në Iran dhe nga i njëjëti prodhues”.

Dronët kanë qenë “pothuajse të njëjtë në dizajn” me ata që prodhohen në Iran, thuhet në raport.

Irani mbështet rebelët huthi në luftën tri vjeçare, mirëpo kundërshton se i furnizon ata me armë.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar vazhdimisht Iranin për furnizim me raketa balistike për rebelët shiit, në kundërshtim me rezolutën e OKB-së, dhe i kanë kërkuar Këshillit të Sigurimit të kësaj organizate të krijojë një ndalim dhe të ndëshkojë Iranin.

Rusia ka kundërshtuar në marrjen e ndonjë hapi rreth kësaj çështje. /REL