OKB e Vatikani dënojnë dëbimin e të krishterëve nga Mosuli

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Kisha Katolike kanë dënuar dëbimin e të krishterëve irakianë nga qyteti i Mosulit, i cili muajin e kaluar u pushtua nga forcat e organizatës “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit”.

Bota

21/07/2014 13:19

Kreu i kishës më të madhe të Irakut, Patriarku Louis Raphael Sako, ka dënuar islamistët sunitë, të cilët kanë dëbuar të krishterët nga Mosuli.

Patriarku Sako ka thënë se militantët e të ashtuquajturit Shtetit Islamik janë më të këqij se lideri mongol, Genghis Khran, dhe nipi i tij, Hulagu, të cilët kanë kontrolluar Bagdadin në mesjetë.

Edhe Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e ka dënuar veprimin e kësaj organizate radikale islamike, duke thënë se veprimet e “Shtetit Islamik” mund të përbëjnë krim kundër njerëzimit.

Po ashtu, Papa Françesku ka dënuar dëbimin e të krishterëve duke bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar popullatën e rrezikuar civile në Irak, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.

Qindra familje të krishtera janë larguar nga Mosuli, qyteti i dytë më i madh në Irak, pasi militantët islamik janë kërcënuar se do t’i vrasin nëse nuk konvertohen në myslimanë apo pranojnë të paguajnë një taksë speciale.

Radikalët islamikë të organizatës ‘Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit’, pas ofensivave që lanë të vdekur mbi dy mijë ushtarë e civil irakianë, që prej muajit të kaluar kontrollojnë një pjesë të territorit të Irakut dhe të Sirisë, dhe kanë shpallur kalifatin e tyre (shtetin) me emër “Shteti Islamik”.