Oferta financiare për “Kosovën e Re” hapet javën e ardhshme

Brenda javës së ardhshme do të hapet oferta financiare për projektin “Kosovën e Re”. Kjo është vendosur sot në takimin e mbajtur të Komitetit Drejtues të Projektit për Termocentralin “Kosova e Re”.

Lajme

30/01/2015 15:23

Komiteti Drejtues i Projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, i udhëhequr nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, sot ka zhvilluar një takim, në të cilin u prezantuan rezultatet e vlerësimit të ofertës së përputhshmërisë, të dorëzuar nga ofertuesi Contour Global.

Sipas një njoftimi për media nga Zyra për informim e MZHE-së në takim u bënë prezantimet e rekomandimeve për vlerësimin e ofertës nga Komisioni për Vlerësimin e Ofertave, këshilltarët e transaksionit, këshilltari strategjik (IFC), si dhe rekomandimet e Bankës Botërore.

KDP TC “Kosova e Re” me këtë rast mori vendim që procesi të vazhdojë me hapjen dhe vlerësimin e Ofertës Financiare, gjatë javës së ardhshme.

Në këtë takim, përveç Këshilltarëve të transaksionit, anëtarëve të rregullt të KDP-së, ishin prezentë edhe anëtarët vëzhgues si, Banka Botërore, BERZH, USAID, Kfw, Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera vendore, që kanë të bëjnë me sektorin.