OEK reagon: Ka tendenca për ndezjen e luftës ndërmjet bizneseve

Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se tensionet nga fusha politike po barten në atë ekonomike dhe biznesore, si dhe po bëhen përpjekje që bizneset e mëdha të instrumentalizohen nga politika dhe të shfrytëzohen si mjet për qërim hesapesh mes kundërshtarëve politikë.

Lajme

07/09/2014 13:31

OEK vlerëson gjithashtu se vakuumi institucional që nga zgjedhjet e 8 qershorit, gjithnjë e më shumë po reflektohet negativisht në zhvillimet ekonomike në vend, duke kërcënuar me dëme edhe më të mëdha për bizneset dhe qëndrueshmërinë e tregut, nëse ky vakuum vazhdon pa fund, transmeton KosovaPress.

“Për më tepër, kriza politike nëpër të cilën po kalon Kosova, jo vetëm që në plan të përgjithshëm gjeneron pasojat negative për ekonominë, por ajo së fundi synon të hapë fronte politike edhe në komunitetin e biznesit. Kosova nuk e ka komoditetin që të lejojë luftën e pafund politike për pushtet apo, që është edhe më e dëmshme, të lejojë që kjo luftë të ndizet edhe në mes pjesëtarëve të komunitetit të biznesit. Ajo, sidomos, këtë komoditet nuk e ka kur bëhet fjalë për ekonominë e brishtë, të cilës i duhet shteti i fortë dhe me politika të qarta për të zhvilluar ekonominë dhe komunitetin e biznesit në njërën nga shtyllat kryesore të shoqërisë”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike.

“Kjo tendencë është e papranueshme dhe sipas Odës Ekonomike të Kosovës nga ajo duhet të hiqet dorë sa më shpejtë të jetë e mundur”.

Oda Ekonomike e Kosovës druan se zhvillime të tilla negative të implikimeve politike në ekonomi dhe komunitetin e biznesit shkaktojnë dëme të pariparueshme për imazhin e vendit, i cili, nga ana tjetër, synon të prezantohet si një vend me kushte të favorshme dhe tërheqëse për investimet e jashtme.

“Po i afrohemi fundit të vitit dhe bërjes së bilanceve të ndryshme ekonomike e financiare dhe kemi drojë se ai për shkallën e investimeve të jashtme do të pësojë rënie të rëndë”, vazhdon më tej komunikata.

Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se ende ka shpresë që ky vit të mos shpallet i humbur ekonomikisht për shkak të zhvillimeve politike që e kanë çuar vendin në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në shtyrjen e papritur dhe të pakuptueshme të konstituimit të institucioneve të reja dhe në shpërthimin e luftës politike për pushtet, e cila, nëse vazhdon me këtë dinamikë, do ta detyronte Kosovën të paguajë çmim të madh ekonomik.