OEK: Qeveria po bashkëpunon me shkelësit e ligjit

Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po i anashkalon, duke i dhënë përparësi organizatave të bizneseve që udhëhiqen nga njerëz që janë ra ndesh me ligjin.

Lajme

26/12/2017 11:50

“Shprehim shqetësimin e thellë me partneritetet  e dyshimta të Qeverisë së Republikës së Kosovës me shoqata dhe organizata “private” dhe “familjare” të biznesit që funksionojnë pa asnjë llogaridhënie dhe në fakt përfaqësojnë grupe të interesit që adresojnë vetëm çështje individuale, por asnjëherë të biznesit si tërësi”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Tutje përfaqësuesi ligjor i bizneseve thotë se partneriteti i qeverisë bazohet në një memorandum të nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore, e cila është vazhduar duke shpenzuar 50 mijë euro pa procedura e transparencë.

“Dikujt kjo mund t’i duket vlerë e vogël, por ky avaz po zgjat tash më shumë se një dekadë dhe nuk ka krijuar asnjë efekt pozitiv për sektorin privat, por vetëm ka mundësuar mbijetesën e organizatave  fantome, jo transparente dhe shkelësve të ligjit”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Tutje, OEK-u ka treguar se tashmë po e festojnë 55 vjetorin e funksionimit dhe se kanë arritur të kenë mbi 100 memorandume të bashkëpunimit me Oda homologe kudo në botë dhe e anëtarësuar në mënyrë të barabartë me të gjitha Odat Ekonomike Rajonale, Evropiane dhe më gjerë, në Eurochambres, ICC, Parlamentin Evropian për Ndërmarrësi.

Këto suksese nuk po i mjaftojnë OEK-ut që të ketë partneritet me qeverinë.

“Qeveria na anashkalon pothuajse komplet nga partneriteti për zhvillim ekonomik, këtë institucion kredibil dhe transparent. Oda Ekonomike e Kosovës do të përkrahte çdo përkrahje të sektorit privat, në rritje të prodhimit, promovim të eksportit, gjetje të partneriteteve të reja, por në asnjë rrethanë nuk mund të arsyetojmë përkrahjen e  grupeve joformale dhe individëve të cilat kanë probleme me ligjin dhe të cilat aktivitetet e vetme i kanë “ndotjet akustike” dhe “ndotjet e ambientit”, në qendrat e rëndësishme të vendit”, thuhet tutje në komunikatë.

OEK-u ka paralajmëruar që se do të angazhohet në rrugë ligjore dhe institucionale të sigurojmë që sektori privat të përfaqësohet në mënyrë të drejtë, nga ata që kanë kredibilitet, traditë dhe vlera.

“Oda Ekonomike e Kosovës si promovuese e vlerave të ekonomisë së vendit vlerëson angazhimin e institucioneve për një sektor privat më konkurrues që sigurisht ndikon në përformancën e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës që duhet të jetë objektiv i gjithë neve”, thuhet në komunikatë.