OEK: Nuk mund të ketë zhvillim nga një shoqëri e demotivuar

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka organizuar diskutimin me temën “Aktualiteti politiko-ekonomik në Kosovë dhe mundësia e transformimit pozitiv të shoqërisë”, me qëllim të shkëmbimit të informatave dhe ideve se si shoqëria kosovare të kthehet në një shoqëri të motivuar dhe të zhvilluar, raporton Ekonomia Online.

Lajme

08/08/2017 14:02

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se ky takim ka një veçanti sepse po vjen në një moment që qytetarët janë duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe jemi dëshmitar të një aktualiteti politik që nuk është në favor të motivimit dhe një aktualitet ekonomik që nuk po mund të merr frymë lirshëm nga politika.

“Qëllimi i këtij takimi është që të kemi një qasje më ndryshe në mënyrë se si të kemi një përmirësim apo një motivim për shoqërinë, sepse në Ballkan nuk mund të flitet pa konotacion politik dhe në Kosovë vetëm lajmi i keq është lajm dhe pak kush interesohet për qytetarin. Nga barrikadimi i partive politike, humbëm 15 milion nga FMN, humbëm miliona investime, po rritet shkalla e papunësisë problemi për rishikimin e buxhetit rritja e borxhit të brendshëm për rreth 900 milion euro të gjitha këto ndikojnë në demotivim të qytetarëve. Nuk është interesi i partive politike mbi shtetin dhe është koha kur të gjithë duhet të bëjmë për shtetin. Është koha se si të motivohet qytetari për t’i dhënë shpresë”, ka thënë Gërxhaliu, raporton EO.

Publicisti dhe themeluesi i Qendrës së Mendimit Pozitiv, Daut Demaku, tha se po prodhojmë elitë mesatare me mungesa të kreativitetit dhe se pse shumica e partive politike i ngjajnë njëra-tjetrës.

“Poenta e këtij takimi është që ju të vendosni që të krijoni opinion që përmes jush të shpërndahet. Të gjithë e dimë por shumë pak e realizojmë dhe ajo që e dinë të gjithë është talenti i parë i secilës qenie njerëzore. Prirja e parë e individit jep mundësi mahnitëse për secilin njeri. Gjeniu i shkencës botërore Ajnshtajni tha se secili njeri është gjeni në pjesën e punës së vet dhe kjo thënie është zbatuar nga mijëra njërës dhe ka pasur sukses”, tha ai.

“Sot do të prezantoj disa ide të cilat ndoshta do të mund të na zgjojnë ndoshta i japim përgjigjeje disa pyetjeve. Pse po prodhojmë elitë mesatare me mungesa të kreativitetit, pse shumica e partive politike i ngjajnë njëra tjetrës, pse kemi një papunësi të theksuar, pse kemi shoqëri civile që nuk sjellin kreativitet. Përgjigja është që ne nuk e njohim prirjen e parë të njeriut”, tha Demaku.

Ai luti mediat të jenë të kujdesëm që në asnjë mënyrë të mos i traumatizojnë njerëzit përmes raportimeve jo korrekte.

“Problemi nuk qëndron tek audienca ose gazetarët, problemi qëndron se si ne i shpjegojmë gjërat dhe ju lus që të na ndihmoni ta themi të vërtetën në mënyrën më të thjeshtë të mundshme”.

Ai tha se është shumë i rëndësishëm trajtimi që ia bënë shteti shoqërisë duke krijuar kushte për një shoqëri të zhvilluar ku secili mund të jap kontributin e tij, raporton EO.

Kjo mund të bëhet sipas tij, duke marr shembull praktikat që kanë përdorur shoqëritë e zhvilluara. Ai mori shembull qytetin e Singapurit.