OEK mban takim për promovimin e ekonomisë së Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës organizoi një takim me delegacionin e organizatës amerikane “The Heritage Foundation”.

Lajme

17/07/2018 15:58

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se organizata “The Heritage Foundation” është një ndër më prestigjiozet në Amerikë dhe me një orientim shumë pro ekonomisë së tregut.

“Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit sidomos të ri-pozicionimit të Kosovës në hartën globale ekonomike dhe normalisht të një bashkëpunimi ma intensiv sidomos me institucionet amerikane, me organizata të shoqërisë civile në Amerikë që promovojnë liritë ekonomike dhe ndihmojnë në promovimin e imazhit të Kosovës”, tha Rukiqi.

Tutje ai shtoi se ky bashkëpunim i mundëson Kosovës promovimin e imazhit më të mirë të Kosovës.

“Këtë vit ne po diskutojmë për mundësinë që të kemi aktivitete me karakter global që e promovojnë ekonominë e Kosovës dhe për atë që njihet Kosova, me një ndërmarrësi dinamike dhe në të njëjtën kohë t’i promovojnë potencialet, për shkak se siç e dimë Kosova nuk e ka imazhin më të mirë të mundshëm”, tha kryetari i OEK-ut.

Anthony Kim, menaxher i hulumtimeve dhe autor i publikimit “Indeksi i Lirisë Ekonomike”, u shpreh se tashmë ka ardhur koha që Kosova të veprojë dhe jo vetëm fjalë.

“Kemi kënaqësi të shohim këtë progres që po bën Kosova. Kosova e ka kohën që të fillojë t’i bëjë gjërat realitet dhe jo vetëm të flasë për to. Bashkë patëm një takim të jashtëzakonshëm me shumë ide produktive. Po shpresojmë të vazhdojmë bashkëpunimin tonë produktiv edhe në të ardhmen”, tha Kim.