OEK: Kërkesa e Serbisë për kthim të borxheve me prapavijë politike

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e ka quajtur nismë më prapavije politike kërkesën e Serbisë, për kompensim të dëmit nga Kosova dhe kthimin e borxheve. Ata tërheqin vërejtjen se kjo çështje mund të shtrohet në tavolinë bisedimeve në Bruksel.

Lajme

27/08/2014 13:31

Oda Ekonomike e Serbisë ka vlerësuar që borxhi që Kosova ka ndaj Serbisë kap një shumë prej 10 miliardë euro, ku në këtë shumë janë llogaritur edhe investimet e kompanive serbe në Kosovë para luftës, investimi nga mjetet e ish-fondeve të Serbisë dhe Jugosllavisë për zhvillim ekonomik të viseve ekonomikisht të pazhvilluara dhe pasuria e refugjatëve serb që u larguan pas luftës nga Kosova.

Oda Ekonomike e Kosovës në një reagim për media ka vlerësuar se kërkesa e Serbisë duhet të analizohet seriozisht nga pala kosovare, pasi shumë lehtë kjo çështje mund të bëhet pjesë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Së shpejti pritet që të vazhdojnë negociatat në kuadër të kornizës së Brukselit, që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy palëve. Nga ana tjetër, BE-ja dhe sidomos Gjermania kanë bërë të qartë se fillimi dhe ritmi i dialogut për pranim të Serbisë në BE do të varen nga ndryshimi i politikës së Beogradit ndaj Kosovës. Serbia është e ndërgjegjshme se nga ajo do të kërkohet shumë në heqjen dorë nga pretendimet ndaj Kosovës. Prandaj, një nismë sikur kjo ‘për kompensim të dëmit dhe kërkim të borxheve nga Kosova’, mund të ketë prapavijë politike për të ngarkuar agjendën e bisedimeve dhe për të zhvendosur fokusin nga çështjet prioritare të bisedimeve”.

“Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se kjo kërkesë duhet të trajtohet seriozisht dhe të analizohet nga pala kosovare, sepse nuk duhet përjashtuar mundësinë që, pas publikimit të saj në Beograd, ajo të hidhet së shpejti edhe në tryezën në Bruksel. Edhe pse përmbajtja e kësaj nisme mund të duket irracionale, imponimi eventual i saj në agjendën e bisedimeve ne Bruksel kërkon përgatitje paraprake në Prishtinë për tu ballafaquar me sukses më të dhe për të hedhur poshtë pretendimet e saj”.

“Oda Ekonomike e Kosovës është e mendimit që në nivel të administratës qendrore dhe me pjesëmarrje të të gjitha institucioneve relevante duhet të krijohet një grup punues i cili për detyrë do të ketë përgatitjen e reagimit të palës kosovare ndaj ngritjes së çdo nisme të tillë nga ana e Serbisë. Oda Ekonomike është e gatshme që të inkuadrohet në punën e një mekanizmi të tillë”, thuhet në një reagim të OEK-ut për media.