OEK: Ka tentativa për ta politizuar Korporatën Energjetike

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) është e brengosur me përpjekjet për ta politizuar Korporatën Energjetike, për shkak të interesave të shumta që gërshetohen rreth prodhimit të energjisë elektrike.

Lajme

16/08/2017 14:13

“Kemi disa organizata joqeveritare të shoqërisë civile, kemi tregtarë të ndryshëm që ndoshta janë në mënyrë indirekte aktivë për të dëmtuar imazhin e korporatës. Por ajo është e Kosovës dhe ne si Odë Ekonomike do të mbrojmë imazhin e kësaj ndërmarrje publike të rëndësisë së veçantë dhe besoj që për çdo qeveri që do të vijë e ka për obligim moral që nëse do të bëjë për zhvillim ekonomik të mbështesë sektorin e energjetikës”, tha Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut.

Ai i bëri komentet pas një vizite në Drejtorinë e KEK-ut në Obiliq, ku u takua me drejtorin menaxhues, Arben Gjukaj, raporton Ekonomia Online.

“Jemi dëshmitarë të një realiteti të hidhur të krijuar kohëve të fundit qoftë me furnizim me energji elektrike qoftë me thëngjill. Ky ishte një takim pune, nga i cili personalisht mësova shumë. E para është se rëndësia e kësaj korporate nuk duhet të analizohet vetëm nga aspekti ekonomik, sepse sa ka rëndësi ekonomike, ka edhe rëndësi sociale integruese dhe mbi të gjitha ka rëndësi ambientaliste”, theksoi Gërxhaliu.

“Në krahasim me vitet e pasluftës, vitet e fundit janë rekorde në këtë kompani sa i përket prodhimit dhe shitjes dhe me vetë faktin që janë rreth 5000 të punësuar e dëshmon që është edhe garanci e një stabiliteti në këtë regjion e dëshmon rëndësinë që ka KEK-u”.

Kreu i Odës theksoi se nuk duhet të lejohet që KEK u të jetë emëruesi i përbashkët i të gjitha problemeve qoftë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, qoftë në Zyrën e Rregullatorit. Ai rikujtoi se KEK-u nuk është përgjegjës i furnizimit, por i prodhimit.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, ka folur rreth marrëveshjeve me banorët në Shipitullë për shpronësim, që i mundëson korporatës që të vazhdojë nxjerrjen e thëngjillit..

Gjukaj, i cili kishte alarmuar para pak kohësh se Kosova mund të përballet me krizë energjetike në mungesë të rezervave të thëngjillit, tha se tashmë kanë arritur marrëveshje me shumicën e familjeve.

“Sot fokus të veçantë e patëm çështjen e shpronësimit. Ne jemi në pritje të hapave të tjerë nga Qeveria që kjo situatë të gjejë zgjidhje”.

“Kemi arritur marrëveshje gati me të gjitha familjet. Janë vetëm edhe 5 familje, me të cilat jemi në proces të arritjes së marrëveshjeve”, tha Gjukaj, i pyetur nga Ekonomia Online.

Drejtori menaxhues tha se KEK-u, në dy vitet e fundit, nuk ka problem me prodhim. “Bile kemi kaluar rekord në prodhim”.

Kryetari i OEK-ut, Gërxhaliu, ka thënë se e gëzon fakti që KEK-u, pas situatës së fundit të krijuar me mihjen, ka qenë pjesë aktive e zgjidhjes së problemit të shpronësimit.