OEK dhe MPJ koordinohen për Panairin në Rjekë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu është takuar me zëvendësministrin në detyrë të Punëve të jashtme, Emanuel Demaj me qëllim të prezantimit të aktiviteteve të përbashkëta që do të kenë në të ardhmen.

Lajme

23/06/2017 12:29

Gërxhaliu ka thënë se agjenda politike në Kosovë është e stërngarkuar, andaj me Demajn kanë vendosur të të koordinojmë aktivitetet që ekonomia të jetë prioritet, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se kanë biseduar edhe për bashkërendimin e aktiviteteve sa i përket promovimit të produkteve Made in Kosova në Rjekë.

“Në partneritet me Odën Ekonomike të Rjekës do të kemi mundësinë që 15 kompani nga Kosova do t’i prezantojnë produktet e tyre me qëllim që të përmirësohet imazhi të përafrohen bashkëpunimet me Kroacinë”, ka thënë ai duke njoftuar se më datë 12 korrik do të mbahet procesi i Berlinit që është i rëndësisë ekonomike sociale e strategjike.

“Në rend të parë do të ketë takime në mes të kompanive të atjeshme dhe kompanitë Kosovare dhe për herë të parë do të hapet zyra në Itali. Që nga dje Oda Ekonomike është ricertifikuar me IsoStandardin 9001 2015 që e dëshmon një rrugëtim të pakthyeshëm. Gjeneza e krizës ekonomike është kriza juridike, ka thënë Gerxhaliu.

Zëvendësministri, Demaj, ka thënë se sa i përket diplomacisë ekonomike janë dakorduar që vazhdimisht të organizojnë forume ekonomike, raporton EO.

“Nga Forumet ekonomike deri më tani janë tre investitorë të huaj që kanë filluar investimet në Kosovë. Në Rjekë jemi munduar të bëjmë një panair në kohën kur ka shumë turist që të promovohen produktet kosovare. Ligji për investime strategjike na ka hapur dyert dhe për të kemi bërë një fushatë të madhe. Oda ekonomike ka qenë një mbështetës i rëndësishëm në krijimin e kontakteve”, ka thënë ai.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike, ka thënë se moskordinimi në mes të institucioneve dhe Odës ka ardhur për shkak se shumica e tyre nuk e kanë trajtuar seriozisht rolin e OEK-ut.

Ai njoftoi se në Trieste të Italisë më 12 korrik do të hapet një zyre që do të jetë një mundësi e mirë për të siguruar investime të jashtme.