OEK: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri veç për konsum mediatik

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mbajtur sot konferencë për medie, ku ka ngritur shqetësimet e komunitetit të biznesit kosovar mbi barrierat tregtare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Lajme

21/10/2017 12:33

Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK-ut, tha se agjenda politike në Kosovë dhe Shqipëri është e prolonguar.

“Praktikat e përbashkëta të dy shteteve kanë qenë praktikë e mirë për bizneset dhe Odën. Mirëpo, kjo ka qenë vetëm për konsum mediatik. Ne jemi të vetëdijshëm se nëpër çfarë vështirësi has komuniteti i biznesit kosovar në baza ditore në të bërit biznes, brenda dhe jashtë vendit”.“Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë – CEFTA jemi përballur me barriera nga më të ndryshmet të cilat janë përdorur nga vendet anëtare ndaj bizneseve tona, respektivisht kompanive eksportuese dhe importuese”, ka thënë Gërxhaliu.

Oda Ekonomike e Kosovës, duke konsideruar një rritje të shqetësimit të bizneseve që tregtojnë me Republikën e Shqipërisë, kryesisht duke iu referuar barrierave jotarifore, çmimeve dumping, pengesave administrative të aplikuara në raste të caktuara (shpesh edhe të përsëritura) nga autoritetet shqiptare, ka realizuar një anketim me bizneset për të identifikuar problemet dhe për të parashikuar humbjet, raporton ekonomia online.

OEK-u ka kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që mbledhjen e dy qeverive të ftohen edhe bizneset pasi që, sipas kryetari Gërxhaliu, zëri i tyre duhet të jetë i pranishëm.

Oda Ekonomike është duke hartuar një raport më të detajuar rreth problemeve që ekzistojnë në tregtinë mes dy vendeve. Ky raport do t’u prezantohet të dyja qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, në takimin e radhës në muajin nëntor.