Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se Projektligji për Pagat rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj se Projektligji për Pagat do të rrisë ngarkesën mbi arkën e shtetit dhe si i tillë rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore.

Lajme

30/08/2018 15:49

Oda Amerikane beson fuqishëm se aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale, do të kishte implikime të konsiderueshme buxhetore, duke zvogëluar në të njejtën kohë mjetet buxhetore për investime kapitale, që janë tejet të rëndësishme për fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Gjithashtu Oda Amerikane, konsideron se i njëjti projektligj rrit edhe më tej hendekun ndërmjet niveleve të pagesave në sektorin publik dhe atë privat, duke pasur parasysh që ndërmarrjet e sektorit privat e kanë të pamundur të përcjellin trendët e rritjes së pagave nga institucionet publike e vendit përgjatë viteve të fundit.

Prandaj, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit buxhetor përmes shpenzimit më të kujdesshëm të parasë publike, Oda Amerikane, i kërkon Ministrisë së Administratës Publike dhe Qeverisë në përgjithësi që të kenë parasysh të gjitha implikimet e mundshme të projektligjit në fjalë, duke pasur parasysh se institucionet e vendit e kanë për obligim moscenimin në asnjë rrethanë të stabilitetit buxhetor.

Rritja e mundshme e deficitit buxhetor do të çojë pashmangshëm në rritjen e normave tatimore për bizneset ekzistuese në vend, e që në anën tjetër do të zvogëlonte prospektet për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe do të ndikonte në rritjen e ekonomisë joformale në Kosovë, në një kohë kur kërkohen përpjekje më të mëdha për luftimin e saj./Lajmi.net/