Oda Ekonomike Amerikane, kërkon pezullimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, është shprehur e shqetësuar pasi që kërkesa e tyre për pezullimin e implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, nuk është marrë në konsideratë.

Lajme

22/12/2016 17:56

Sipas një komunikate për media Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkon edhe një herë që të pezullohet nisja e mbledhjes së premiumeve, dhe nisja e një procesi gjithëpërfshirës konsultimi.

“Kjo do të të mundësonte adresimin e të gjitha shqetësimeve të shprehura nga ana e punëdhënësve dhe komunitetit profesionist shëndetësor”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Komunikata e plotë:

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh edhe një herë shqetësimin e saj lidhur me mosmarrjen në konsideratë të kërkesës për pezullimin e implementimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, respektivisht fillimin e mbledhjes së premiumeve shëndetësore të paraparë për 1 janar 2017, nga ana e Qeverisë së Kosovës, pavarësisht shqetësimeve të shprehura qartazi përkitazi me shumë çështje të cilat vazhdojnë ta karakterizojnë zbatimin e ligjit në fjalë.

Mbi të gjitha, Oda Ekonomike Amerikane thekson edhe një herë aspektin e shkeljes së Ligjit mbi Sigurimet Shëndetësore, pa përmbushjen e kritereve të parapara me dispozitat e tij, para fillimit të mbledhjes së premiumeve shëndetësore, por edhe cenimin e konkurrencës së lirë, përmes favorizimit të sektorit publik dhe diskriminimit të hapur të sektorit privat.

Si organizatë që jep kontribut të vazhdueshëm në përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes dhe avancimin e legjislacionit të vendit nikoqir, Republikës së Kosovës, duke u bazuar në dinamikën e kaluar të institucioneve, Oda Amerikane beson që çështjet e shumta të cilat e karakterizojnë ligjin, nuk do të zgjidhen në një periudhë afatshkurtër.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkon edhe një herë që të pezullohet nisja e mbledhjes së premiumeve, dhe nisja e një procesi gjithpërfshirës konsultimi, që do të mundësonte adresimin e të gjitha shqetësimeve të shprehura nga ana e punëdhënësve dhe komunitetit profesionist shëndetësor.