Oda e Avokatëve reagon ndaj plagosjes së Azem Vllasi

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) e ka dënuar sulmin dhe plagosjen e avokatit, Azem Vllasi. Lidhur me këtë rast, OAK thotë se është e shqetësuar për kanosjet, kërcënimet dhe sulmet fizike që janë duke u bërë ndaj avokatëve kohëve të fundit në Republikën e Kosovës.

Lajme

13/03/2017 11:44

“OAK kërkon nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin rastin dhe aktorët e këtij akti të shëmtuar të dalin para drejtësisë. Oda e Avokatëve të Kosovës rikujton detyrimet e qeverisë dhe organeve përkatëse të saj për të garantuar pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të profesionit të avokatit. Institucioni i avokatisë është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e rendit dhe vënien e sundimit të ligjit, dhe çdo akt i drejtuar kundër avokatit derisa ai e ushtron profesionin e vet, është njëkohësisht edhe sulm kundër sistemit të drejtësisë në Kosovë”,thuhet në reagimin e Odës së Avokatëve të Kosovës, transmeton lajmi.net

Më tej, në këtë reagim thuhet se ata që ngrenë dorën mbi një avokatë, ngrenë dorë mbi lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e drejtësisë, mbi të tanishmen të ardhmen që ka të bëjë edhe me sistemin e sigurisë së qytetarëve.

“Rastet e tilla nuk janë rastësi, ato janë një paralajmërim i keq për fatin e drejtësisë dhe perspektivës evropiane. Por, pavarësisht kësaj, ne do të qëndrojmë dhe nuk do të dorëzohemi nga çfarëdo kërcënimi për të arritur synimet tona dhe gjeneratave që në të ardhmen të mbrojmë shtetin e së drejtës. Do e mbrojmë profesionin e avokatit, siç mbrohen në tërë botën e civilizuar e demokratike”, thuhet më tej në këtë reagim.

OAK gjithashtu thotë se ata që janë përgjegjës për sigurinë e qytetarëve të Kosovës duhet të mbrojnë dhe sigurojnë përfaqësuesit e institucioneve, pa përjashtuar edhe avokatinë dhe se nuk mjafton të deklarohemi se jemi të indinjuar, sepse rastet e tilla sipas OAK janë duke ndodhur, ashtu që duhet punuar pa ndërprerë për të realizuar një siguri për të gjithë, për të zhvilluar shtetin e Kosovës dhe për të arritur një shkallë të lartë të demokracisë dhe të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Në fund të reagimit kërkohet që të zbulohen “vrasësit e lirisë dhe të pavarësisë së avokatisë të cilët përfaqësojnë dhe mbrojnë sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”. /Lajmi.net/