Oda e Afarizmit e Kosovës në aksion për dhurimin e gjakut

Oda e Afarizmit të Kosovës e përmbylli vitin me një aksion humanitar për dhurimin e gjakut “Bëhu hero, shpeto një jetë”. Aksioni i sotëm u mbajt në ambientet e OAK-së në bashkëpunim me biznesmenët dhe Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

Lajme

29/12/2017 16:59

Ismet Mulaj, Drejtor Ekzektiv tha se krahas sukseseve të shumta që OAK-u ka pasur në fushën e biznesit, sot kanë organizuar edhe aktivitetin vullnetar për dhurim të gjakut.

“Kemi qenë të interesuar edhe si staf i Odës por edhe anëtarë të bizneseve të ndryshme, ta krijojmë si praktikë një herë në vit, sidomos në përmbyllje të Vitit të Ri të dhurojmë gjak. Siç e dini Kosova është një prej vendeve ndoshta me numrin më të madh të aksidenteve në trafik dhe kjo nënkupton që këta njerëz kanë nevojë për gjak dhe ne jemi të interesuar, pos shërbimeve që ofrojmë për bizneset, jemi të interesuar edhe gjakut tonë me ofruar për pacient të ndryshëm”.

Erinda Gashi nga kompania Gashi4Company, tha se për të është hera e tretë që dhuron gjak dhe ftesës së OAK për këtë aksion i është përgjigjur me shumë kënaqësi.

Sipas saj, çdo kush mund të dhurojë gjak pa e dëmtuar shëndetin e vetë, por duke kontribuar për të shpëtuar një jetë.

Kushtrim Gashi, vullnetar për dhurimin e gjakut, i cili më shumë kënaqësi ju përgjigjë ftesës së OAK-së për këtë aksion, tha se dhurata më e mirë që mund t’i bësh dikujt është t’i shpëtosh jetën.

“Dhurimi i gjakut është gjesti më human që mund të bëjmë prandaj një aksion i tillë nga OAK, është për t’u vlerësuar lartë dhe se dhurata ma e mirë që mund t’i bëjmë ndokujt është t’i shpëtosh jetën”, tha Gashi.

Albana Gashi, menaxherja për marketing dhe informim në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut, u shpreh se çdo herë ka nevojë për gjak pasi që kërkesat janë të mëdha, por fal aktiviteteve të tilla arrijnë t’iu dalin në ndihmë pacientëve që kanë nevojë.

“Kjo është me rëndësi për neve si çdo aksion i dhurimit të gjakut që organizohet iu jemi mirënjohës të gjitha institucioneve të cilat shprehin dëshirën për të organizuar këto aktivitete të dhurimit të gjakut, është për herë të parë këtu në Odën e Afarizmit të Kosovës dhe planifikojnë me qenë një herë në vit ky aksion. Ne kurrë nuk mund të themi se kemi gjak sepse çdo herë ka nevojë për dhurim sepse kërkesat janë shumë të mëdha, por gjithmonë me këto aktivitete të dhurimit të gjakut të cilat janë në mënyrë vullnetare çdo herë iu dalim në ndihmë atyre pacientëve që kanë nevojë”, përfundoj Gashi./Lajmi.net/