Oda Amerikane në Kosovë shënon 13 vjetorin e themelimit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shënoi trembëdhjetë vjetorit të themelimit, ku pjesëmarrës ishin ambasadori Gregory Delawie, kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të ministrive dhe institucioneve tjera ndërkombëtare.

Lajme

24/03/2017 15:24

Delawie vlerësoi lartë faktin që anëtarët themeltarë të odës Amerikane kanë përqafuar vlerat afariste amerikane para se Kosova të bëhej republikë e pavarur, duke konfirmuar kështu se ata kuptojnë që rritja ekonomike dhe biznesi që i kontribuon asaj rritje, luajnë një rol esencial në zhvillimin e këtij shteti dhe sigurisë së tij.

Ai inkurajoi anëtarësinë e odës Amerikane për të folur me një zë më të fuqishëm për çështjet që po e pengojnë avancimin e ekonomisë së Kosovës, meqë asnjë qeveri nuk mund të zgjidhë problemet e mëdha ekonomike pa mbështetjen aktive të bizneseve.

Ndërsa Kadri Veseli uroi anëtarët e odës për përvjetorin e tyre dhe tha se themelimi i saj para pavarësisë së Kosovës është një tregues i rëndësishëm i mbështetjes amerikane për Kosovën, duke theksuar se institucionet e vendit mbesin të përkushtuara të marrin në konsideratë rekomandimet e Odës Amerikane dhe asociacioneve të tjera të biznesit.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi punën e odës në sigurimin e investimeve nga bizneset amerikane.

Ai  theksoi se qeveria në partneritet me odën ka ndërtuar politikat ekonomike, ka hartuar politikat fiskale, përfshirë edhe Pakon Fiskale 2.0, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar partneritetin drejt zhvillimit ekonomik për Kosovën.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha që kjo odë është e vetmja nga 45 të tilla në Evropë që ofron shërbime të arbitrazhit, ka një fondacion që mbështet aktivitet bamirëse të shoqërisë Kosovare, ka një shkollë shahu për fëmijë si dhe se fundmi ka themeluar edhe Institutin për Politika Ekonomike, i cili do të ndihmojë në nxjerrjen e statistikave të besueshme për të cilat Kosova ka nevojë.

Nderkohë Presidenti i Bordit të Odës Amerikane, Mërgim Cahani tha se Oda Amerikane vazhdimisht ka kontribuar në lehtësimin e të bërit biznes në vend, por që duhet pasur parasysh edhe zhvillimet teknologjike në mënyrë që ambienti i biznesit të jetë edhe më efikas.