Oda Amerikane kërkon nga bizneset e Pejës të ndihmojnë në luftimin e korrupsionit

Bizneset duhet të kontribuojnë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në shoqërinë kosovare, duke raportuar sjelljet korruptive përmes mekanizmave ekzistues ligjorë dhe institucionalë, të cilët garantojnë edhe konfidencialitet dhe mbrojtje të raportuesve.

Lajme

29/11/2017 13:30

Kjo u tha sot në punëtorinë e radhës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me bizneset e rajonit të Pejës, me mbështetje të Projektit të UNDP për Përkrahje të Përpjekjeve për Luftimin e Korrupsionit (SAEK).

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, foli për rëndësinë që ka luftimi i korrupsionit për vetë bizneset dhe ngritja e etikës në të bërit biznes, që do të mundësonte një konkurrencë fer dhe të barabartë, dhe mundësi të barabarta të rritjes për të gjithë, duke shtuar se korrupsioni cenon edhe sigurinë e vendit.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, vuri theksin mbi mundësinë më të lartë të prezencës së korrupsionit në aktivitete të prokurimit publik, duke shtuar se duhet amandamentuar ligji i prokurimit, në mënyrë që autoritetet kontraktuese mos të zgjedhin operatorët vetëm duke u bazuar në çmimin më të lirë, meqenëse në mënyrë të tillë favorizohen produktet dhe shërbimet më jocilësore.

Hasan Preteni, ekspert i fushës së luftimit të korrupsionit, tha se në Kosovë ka ngecje të mëdha në luftimin e korrupsionit, dhe kjo më së miri mund të shihet në efikasitetin e dobët të institucioneve zbatuese të ligjit në trajtimin e rasteve të kësaj natyre.

Megjithatë Preteni theksoi se bizneset dhe qytetarët duhet të raportojnë rastet e korrupsionit me të cilat ballafaqohen, në mënyrë që të nxiten institucionet që të tregojnë më shumë rezultate në ndëshkimin e atyre që përfshihen në afera korruptive.

Ndërsa, Visar Hapçiu, menaxher i Politikave në Odën Amerikane foli për përmirësimin e qeverisjes korporative dhe akteve të brendshme korporative të cilat do të ishin parandaluese të korrupsionit. Ai po ashtu informoi të pranishmit mbi procedurat që ndiqen në kuadër të disa institucioneve në trajtimin e rasteve të raportuara të korrupsionit.

Bizneset e pranishme theksuan nevojën e aprovimit sa më të shpejtë të Ligjit për Kontrollimin e Prejardhjes së Pasurisë, në mënyrë që të mundësohet një luftim më efektiv i korrupsionit në vend.