O’Connell uron individët e organizatat e shpërblyer nga presidentja

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka uruar individët dhe organizatat që janë shpërblyer nga presidentja e Kosovës me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës për kontributin që kanë dhënë për rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësimit dhe shteformimit.

Lajme

23/02/2016 21:06

 

Një urim i veçantë nga ambasadori ka shkuar për shtetasen britanike Elizabeth Gowing, e cila është shpërblyer me medaljen “Nënë Tereza” për punën e saj në Kosovë.

“Dëshiroj që personalisht të uroj të gjithë, si individët ashtu edhe organizatat, të cilat në tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, janë shpërblyer nga Presidentja e Kosovës, për kontributin e dhënë për Kosovën. Ne jemi krenarë që në mesin e tyre është një shtetase britanike, dhe një mikeshë shumë e dashur e imja, Elizabeth Gowing, e cila ka marrë medaljen ‘Nënë Tereza’ për punën e jashtëzakonshme humanitare që ka bërë në Kosovë. Ajo ka punuar palodhshëm për përmirësimin e jetës së komuniteteve më të neglizhuara të Kosovës. Ajo ka bërë kampanja në mënyrë që të arrijë që të gjithë të kenë qasje në të drejtën e tyre, të garantuar me Kushtetutë, në edukim. Ajo na ka treguar se si një individ, duke punuar me të tjerët, mund të bëjë ndryshime të hatashme”, thuhet në postimit e ambasadorit O’Connell në Facebook.