OBSH kërkon 56 milionë dollarë për të luftuar ‘Zikën’

​Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka kërkuar 56 milionë dollarë për të luftuar virusin Zika, një sëmundje, e cila bën që foshnjat të lindin me tru të pazhvilluar.

Bota

17/02/2016 23:13

 

Virusi është përhapur në të dyja Amerikat, ndërsa kulmin e shpërthimit e ka pasur në Brazil.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se paratë janë të nevojshme për zbatimin e planit urgjent të veprimit, i cili përfshin luftimin e mushkonjave që transmetojnë virusin. Një pjesë e parave do të përdoret edhe për të informuar komunitetet për rreziqet, si dhe për të ndihmuar gratë shtatzëna që të kenë qasje në kujdesin shëndetësor.

Zika është shfaqur në rreth 40 shtete, shumica në Amerikën Latine dhe në shtetet ishuj të Paqësorit. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur Zikën emergjencë ndërkombëtare.