OBSH: 1 milionë e 250 mijë të vdekur në vit nga aksidentet

Në raportin mbi sigurinë globale të rrugëve, për vitin 2015, i cili i bazohet mbi të dhëna të mbledhura nga 180 vende, rezultojnë të dhënat të cilat tregojnë që shkaktari numër një i vdekjeve te të rinjtë 15-29 vjeç janë aksidentet rrugore.

Bota

20/10/2015 19:35

Siç raporton VoA, raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë zbulon një hendek të madh në situatën e sigurisë rrugore mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra.

Raporti thotë se 90% e vdekjeve në aksidente rrugore regjistrohen në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, megjithëse këto vende përfaqësojnë vetëm 54% të automjeteve që janë në qarkullim sot në botë.

Numri më i lartë i këtyre aksidenteve vërehet në Afrikë, megjithëse ky kontinent ka vetëm 2% e makinave të botës. Më pas renditet Lindja e Mesme.

Vende si Suedia, Britania dhe Holanda kanë arritur të reduktojnë me 80% numrin e viktimave nga aksidentet rrugore gjatë dekadave të fundit.

Ndër faktorët kryesorë për përmirësimin e situatës në këto vende është zbatimi rigoroz i rregulloreve të trafikut rrugor, si ulja e shpejtësisë së lëvizjes, ndëshkimi i ngarjes së makinës nën influencën e alkoolit, përdorimi i helmetave mbrojtëse gjatë ngarjes së motoçikletës, apo i rripit të sigurisë në makinë.

Një tjetër faktor që ndikon në përmirësimin e situatës është reagimi i shpejtë i ekipeve mjekësore pas aksidentit, përcjell albinfo.ch.

Raporti nënvizon gjithashtu se disa prej makinave që shiten në 80% të vendeve nuk përmbushin kriteret bazë të sigurisë. Kjo vërehet më së shumti në vendet e varfra.