Obama uron Bajramin

Në prag të Festës së Bajramit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka marrë një mesazh urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

Bota

14/07/2015 14:46

Në mesazhin e publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës Shqiptare thuhet se “populli amerikan bashkohet me mua dhe Michelle teksa shprehim urimet tona më të mira për ju dhe popullin e vendit tuaj, ndërsa festoni Fitër Bajramin”.

Në mesazh ndër të tjera thuhet se: “Gjatë muajit të Ramazanit, myslimanët anembanë botës – përfshirë bashkësinë tonë të fortë dhe energjike të myslimanëve amerikanë, janë përpjekur të afrohen më pranë Zotit përmes ripërtëritjes shpirtërore dhe veprave të përkushtimit.

Kjo ka qenë një mundësi për të kaluar kohë me personat e tyre të dashur, për të ndihmuar ata që janë më të pafat e për t’u përsiatur mbi urtësinë dhe paqen që vjen me besimin. Kjo ka qenë gjithashtu një kohë, gjatë së cilës ritualet e agjërimit dhe të lutjes na kanë ndërmendur për vlerat që të gjithë ndajmë dhe për njerëzoren e përbashkët”.