Obama: Trump ka nervozuar botën

Fenomeni “Trump” zuri vend edhe në punimet e samitit të G7 në Japoni dhe ai që e përmendi atë, edhe pse jo në emër, ishte Presidenti amerikan, Barack Obama.

Bota

27/05/2016 20:06

Në një konferencë për shtyp nga qyteti Ise, Obama vuri në dukje sesi njëri prej pasardhësve të tij të mundshëm “ka nervozuar udhëheqësit e tjerë botërore duke dëshmuar ose injorancë në politikën e jashtme, ose një sjellje kavaljere”.

“Kur nervozon, tremb dikë ndonjëherë është mirë, sepse shumë nga vendet e botës ku jetojmë, kanë abuzuar me ne, kanë përfituar prej nesh. Prandaj, nëse ndjehen të trembur, në një mënyrë miqësore, kjo është gjë e mirë sepse kjo do të thotë që do të kemi marrëdhënie të shkëlqyera në të ardhmen me këto vende”, u shpreh ai.

Një president amerikan në largim që kritikon politikën e jashtme të një kandidati nga kampi kundërshtar, aq më tepër që kjo bëhet jashtë tokës amerikane, është cilësuar si e pashembullt nga disa historianë dhe analistë.

Një deklaratë të ngjashme e ka bërë Dwight D. Eisenhower në fushatën mes Richard Nixon dhe John F.Kennedy-t, ku pa përmendur emra, la të kuptohej se Kennedy-t i mungonte përvoja për të drejtuar SHBA.

“Na duhet një udhëheqës që nuk deklaron sot se do të ndërhyjë në Kubë dhe ditën tjetër e tërheq këtë deklaratë”, do të shprehej 5 dekada më parë ai, transmeton top-channel.

Megjithatë, edhe vetë Obama ka qenë viktimë e këtyre deklaratave, ndonëse jo kaq të drejtpërdrejta. George W.Bush, në 2008 duke folur para Parlamentit izraelit, iu kundërvu Obamas për qëndrimin e tij ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Disa duket se besojnë se duhet të bisedojmë me terroristët dhe radikalët, a thua ata do të pendohen dhe do të nisin të mendojnë se paskan vepruar gabim gjithë kohës”, deklaronte Bush.