Obama: Njerëzit vriteshin në Kosovë, para se të ndërhynte NATO

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, përsëri ka kundërshtuar krahasimet ndërmjet situatave të Kosovës dhe Krimesë. Ai tha se një krahasim i tillë është i pavend për shkak se njerëzit në Kosovë janë vrarë me vite të tëra, para se NATO të merrte aksionin e saj.

Lajme

26/03/2014 18:22

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama, ka thënë se krahasimi i Kosovës me situatën në Krime, është i papërshtatshëm për shkak se njerëzit në Kosovë, janë vrarë me vite të tëra, para se NATO-ja të merrte aksionin e saj, raporton Evropa e Lirë.

Obama i ka bërë këto komente gjatë një fjalimi në Bruksel.

Ai ka thënë se Kosova ka shpallur pavarësinë, pas konsultimeve me komunitetin ndërkombëtar.

“Në mbrojtje të veprimeve veta, liderët rusë kanë përmendur Kosovën si precedent- një shembull i ndërhyrjes së Perëndimit në punët e një shteti më të vogël, pikërisht ashtu siç po bëjnë ata tani. Por NATO ka ndërhyrë në Kosovë pasi që populli i Kosovës po brutalizohej dhe vritej në mënyrë sistematike për vite të tëra. Dhe Kosova u nda nga Serbia vetëm pasi u organizua një referendum—jo jashtë kufijve të së drejtës ndërkombëtare- por me një bashkëpunim të kujdesshëm me OKB-në, dhe me fqinjtë e vet. Asnjë nga këto gjëra nuk kanë ndodhur në Krimea”, tha Presidenti Obama.

Presidenti amerikan ka thënë se nuk ekzistojnë mënyra për ta larguar ushtarakisht Rusinë nga Krimeja,  por për aq kohë sa SHBA-ja dhe Evropa mbeten të bashkuara, sipas tij, rusët do ta kuptojnë se nuk mund të shkojnë përpara.

“Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk kanë asnjë inters në kontrollimin e Ukrainës. SHBA dhe NATO nuk kërkojnë konflikt me Rusinë”, ka thënë Obama.