Obama konsulton liderët evropianë lidhur me Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama dhe liderët evropianë kanë folur me telefon lidhur me hapat e ardhshëm për zgjidhjen  e krizës në Ukrainë.

Bota

28/07/2014 19:38

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama ka biseduar me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, me presidentin francez, François Hollande, kryeministrin britanik, David Cameron, dhe kryeministrin italian Matteo Renzi, transmeton REL.

Këto biseda telefonike u bënë derisa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po i shqyrtojnë mundësitë e sanksioneve më të ashpra kundër Rusisë, për shkak të krizës lidhur me rrëzimin e aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë (MH17), më 17 korrik, në pjesën lindore të Ukrainës.

Perëndimi i akuzon separatistët në pjesën lindore të Ukrainës se e kanë goditur dhe rrëzuar aeroplanin dhe e fajësojnë Rusinë për furnizimin e kryengritësve me pajisje, që iu mundësojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Këtë javë priten sanksionet më të ashpra të Shteteve të Bashkuara.

Bashkimi Evropian, po ashtu, javën e kaluar ka arritur marrëveshje paraprake për sanksione shtesë.