Obama kërkon falje për vrasje të gabuar të dy pengjeve që mbaheshin nga Al Kaida

Presidenti amerikan, Barack Obama njoftoi sot vdekjen e dy pengjeve perëndimorë të Al-Kaedës, vrarë gabimisht në muajin janar gjatë një operacioni amerikan në kufirin pakistanezo-afgan duke marrë përsipër përgjegjësinë e kësaj tragjedie për të cilën ai kërkoi falje.

Bota

23/04/2015 20:48

Në një deklaratë të shkurtër, presidenti amerikan shprehu dhimbjen e thellë dhe ngushëllime për familjet e dy punonjësve humanitarë, amerikanit Warren Weinstein dhe italianit, Giovanni Lo Porto, vrarë në mënyrë tragjike në këtë zonë shumë të paqëndrueshme ku SHBA-të kanë kryer shumë operacione me ndihmën e avionëve pa pilot.

“Në bazë të elementeve të mbledhura nga shërbimet sekrete, ekzekutivi amerikan mendonte se bëhej fjalë për një bazë të Al-Kaidës, që nuk kishte asnjë civil në qendër dhe se kapja e terroristëve ishte e pamundur”, theksoi Obama.

“Shpreh keqardhjen e thellë për atë që ka ndodhur”, tha ai, duke shtuar se merr përsipër si president dhe komandant i forcave të armatosura përgjegjësinë e këtij operacioni ashtu si të gjitha operacionet antiterroriste amerikane.

Italia shprehu keqardhje për një gabim tragjik, por nënvizoi se përgjegjësia për vdekjen e dy personave peshonte tërësisht mbi terroristët, kundër të cilëve ajo shfaqi vendosmërinë për të luftuar së bashku me aleatët.

Shtëpia e Bardhë nënvizoi se në të njëjtën kohë, një tjetër operacion i kryer në muajin janar mundësoi eliminimin e Adam Gadahn, një amerikan i konvertuar në islam, i ashtuquajtur “Azam amerikani”, që ishte bërë zëdhënës i Al-Kaidës.

Duke mbrojtur strategjinë amerikane në këtë rajon, Obama nënvizoi se prej 11 shtatorit 2001 kjo strategji kishte mundësuar shmangien e sulmeve dhe shpëtimin e jetëve në Amerikë dhe në mbarë botën.