Obama e Merkel bisedojnë në telefon për Iranin

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, i kanë bërë thirrje Iranit për të bërë vendime të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes për programin e tij bërthamor.

Bota

28/03/2015 13:13

Të dy liderët mbrëmë kanë folur me telefon, derisa bisedimet e gjashtë fuqive botërore dhe Iranit vazhdojnë në Lozanë të Zvicrës.

Më herët, palët që marrin pjesë në negociata e kanë përcaktuar 31 marsin si afatin e fundit për arritjen e marrëveshjes kornizë.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, dhe ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Zarif, janë në Lozanë dhe dje kanë zhvilluar bisedime.

Zarif tha se të dy palët nuk janë afër arritjes së marrëveshjes dhe se “pala tjetër duhet të zgjedhë ndërmjet presionit dhe marrëveshjes”.

Një zyrtar perëndimor, i afërt me këto bisedime i tha agjencisë Reuters se kërkimet për centrifugë dhe pasurim të uraniumit, në përgjithësi, mbeten çështjet më të vështira dhe të pazgjidhura.

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara tha se pesë ministrat e jashtëm të vendeve të tjera nga grupi i gjashtë fuqive botërore, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania, pritet të arrijnë në Lozanë gjatë ditëve të ardhshme.