Obama e cilëson të tmerrshme masakrën e armenëve, i ikë fjalës “gjenocid”

Presidenti amerikan, Barack Obama e cilësoi sot masakrën e armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore si ”mizori të tmerrshme” duke shmangur përdorimin e fjalës gjenocid.

Bota

24/04/2015 19:17

“Armenët nga perandoria osmane u dëbuan, masakruan dhe u çuan drejt vdekjes. Kultura dhe trashëgimia e tyre u fshinë në ish-atdheun e tyre”, deklaroi Obama në një komunikatë me fjalë të përzgjedhura me kujdes.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008, Barack Obama, në atë kohë senator ishte angazhuar ta njihte gjenocidin armen.

Presidenti amerikan deklaroi dje se pikëpamja e tij për këtë çështje nuk kishte ndryshuar.

“Një njohje e plotë, e sinqertë dhe e drejtë e fakteve është në interes të të gjithëve,” theksoi ai.

Disa amerikanë me origjinë armene shprehën kundërshtimin e tyre për përzgjedhjen e fjalëve nga presidenti. “Ushtrimi i presidentit Obama në gjimnastikën linguistike për gjenocidin armen nuk është i denjë për standardet që ai vetë ka vendosur dhe për një lider botëror sot”, shkruan në një komunikatë, Bryan Ardouny, drejtor ekzekutiv i Asamblesë armene të Amerikës.

Armenia, ish-republikës sovjetike, dhe shumë armenë në mbarë botën luftojnë që prej dekadash që masakra e kryer nga forcat osmane në vitet 1915-1917 të njihet si gjenocid.

Turqia moderne, trashëgimtare e perandorisë osmane, hedh poshtë në mënyrë kategorike këtë term. Ajo çfarë alarmon më shumë turqit është fakti se gjithmonë e më shumë po krijohen kushtet që vrasjet masive të armenëve të cilësohen si “genocid” nga vendet aleate. Argumenti i Ankarasë është se, humbjet e jetëve erdhën gjatë një lufte civile, ku gjetën vdekjen edhe shumë turq.