Obama dënon vrasjen e gazetarit amerikan

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka dënuar vrasjen e gazetarit Luke Somers, dhe ka thënë se Amerika nuk do të ndalet për shpëtimin e amerikanëve jashtë vendit.

Bota

06/12/2014 13:30

Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka dënuar “vrasjen barbare” të gazetarit amerikan, Luke Somers, nga al-Kaida në Jemen, gjatë një përpjekjeje për shpëtim.

Në deklaratën e sotme, Obama tha se Washington-i “nuk do t’i kursej përpjekjet” për shpëtimin e amerikanëve jashtë vendit.

Më herët, sekretari amerikan i mbrojtjes, Chuck Hagel, kishte konfirmuar se gazetari Somers ishte vrarë, së bashku me katër persona të rrëmbyer të tjerë joamerikanë, gjatë një operacioni.

Zoti Hagel tha se operacioni i shpëtimit ishte i arsyeshëm pasi ka pasur “shkaqe detyruese për të besuar se jeta e zotit Siomers ishte në rrezik të menjëhershëm”.

Dega lokale e al-Kaidës në Jemen, më 4 dhjetor e ka publikuar një video në Internet, ku shihej gazetari Somers.

Ky grup ishte kërcënuar me vrasjen e tij brenda tri ditësh, nëse Uashingtoni nuk i plotëson kërkesat e militantëve, që nuk ishin të specifikuara. Gazetari Luke Somers ishte rrëmbyer në shtator të vitit 2013 në kryeqytetin Sana të Jemenit.