NYT: Djalit të Trumpit i ishte thënë se Kremlini ka informacion kundër Clintonit

Djalit të presidentit amerikan, Donald Trump, i ishte thënë se Qeveria e Rusisë ishte burim i informacionit dëmtues për ish-kandidaten presidenciale demokrate, Hillary Clinton, para takimit të tij me një avokate ruse për këtë çështje, ka raportuar dje e përditshmja New York Times.

Bota

11/07/2017 13:25

Duke i cituar tri burime anonime, NYT tha se publicisti, Rob Goldstone, i cili kishte ndihmuar në ndërmjetësimin e takimit në qershor të vitit 2016, e kishte dërguar një email te Donald Trump Jr., ku sinjalizohej se Kremlini ishte burim i informacionit potencialisht dëmtues dhe se ai ishte dhënë “në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë ruse për t’i ndihmuar kandidaturës së babait të tij”.

Në këtë email, publicisti Goldstone konsiderohet se ka shkruar se avokatja ruse, Natalia Veselnitskaya, kishte pretenduar se ka informacion për dyshime lidhur me kontributet ilegale të fushatës së Komitetit Kombëtar Demokratik, për të cilat ajo kishte menduar se mund të jenë të dobishme për djalin e zotit Trump.

Sipas burimeve të së përditshmes, New York Times, ky email nuk jep detaje për përpjeket e dyshuara të Moskës për t’i ndihmuar Donald Trumpit.

Në një intervistë të mëparshme me gazetën, New York Times, publicisti Goldstone ka refuzuar se e ka ditur burimin e informacionit. Ai nuk ishte në dispozicion tash për tu pyetur ldhur me emailin, për të cilin është raportuar rishtas.

Takimi, ku merrte pjesë edhe dhëndëri i presidentit, Jared Kushner, dhe shefi i atëhershëm i fushatës, Paul Manafort, ishte mbajtur tri javë pasi Donald Trump kishte siguruar numër të mjaftushëm të delegatëve për ta siguruar nominimin e Partisë Republikane dhe afro një muaj para konventës nominuese të partisë.

Ky takim, po ashtu, ka ndodhur më pak se një javë para se mediat gjërësisht kishin raportuar se hakerët rusë kishin ndërhyrë në serverët e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe kishin vjedhur mijëra emaila.

Pritet që emaili i zotit Goldstone, nëse ekziston, do të kërkohet nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe komitetet e Kongresit, që po zhvillojnë hetime për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe për mundësinë e marrëveshjes së fshehtë ndërmjet fushatës së zotit Trump dhe agjentëve që kanë vepruar për Moskën.

Donald Trump Jr., ka pranuar se ishte pajtuar të takohet me avokaten Veselnitskaya, për të mësuar informacion dëmtues për ish-kandidaten demokrate, Hillary Clinton.

Por, kjo është hera e parë që indikohet se atij ka mundur t’i bëhet e ditur para takimit se informacioni vjen nga Kremlini, në kuadër të përpjekjeve për ta ndihmuar kandidaturën e Donald Trumpit.

Ai ka refuzuar se ka marrë çfarëdo informacioni specifik për fushatën Clinton gjatë takimit.

Alan Futerfas, avokat i Donald Trumpit Jr., i ka thënë gazetës, New York Times, se klienti i tij nuk ka bërë asgjë të keqe dhe ka premtuar të bashkëpunojë me hetuesit.

Donald Trump Jr., pritet të ftohet në Kongres për të dëshmuar lidhur me takimin me avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya.

“Kjo është hera e parë që publiku ka parë dëshmi të qartë të së paku një përpjekjeje nga fushata Trump për të marrë informacion, në këtë rast nga një agjent i jashtëm i mundshëm, që do të ndërhynte në përpjekjen e fushatës së Hillary Clintonit. Kjo përsëri, është një lloj i theksuar i supozimit, që ishte ngritur gjatë këtij hetimi të tërësishëm. Ne duhet të kemi më tepër informacione”, tha demokrati, Mark Werner, anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit. /REL/