Nxirren 45 trupa nga varreza masive në Rashkë

Në varrezën masive në Rashkë të Serbisë, janë nxjerrë edhe 40 trupa të të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Deri tani është arritur të zbulohen 45 viktima. 

Lajme

09/06/2014 13:54

Kanë vazhduar punët në Rudincë të Serbisë, në lokacionin e varrezës masive. Në lokacionin ku është duke u punuar, janë zbuluar 40 trupa të viktimave dhe pjesë tjera trupore, ku sipas raportit nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore (DML) numri i viktimave që janë zbuluar deri më tani, vlerësohet të jetë 45. 

Sipas Drejtorit të DML-së, Arsim Gerxhaliu, pjesa më e madhe e këtyre gjetjeve mortore janë zbuluar nga pjesa veriore e varreze masive. 

“Gjetjet mortore të ekshumuara i janë nënshtruar procesit të autopsive dhe identifikimit të mbetjeve mortore, kurse në javët në vazhdim parashihet të behët hulumtimi i terrenit në afërsi ku supozohet të ketë edhe një varrezë tjetër në këtë lokacion”, ka thënë Gerxhaliu. 

Në këtë lokacion, janë duke kryer hulumtimet ekspert nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, ekspert nga misioni i EULEX-it, ekspert nga Serbia, Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe ICMP.