Nxënësit mërdhijnë në vjeshtë

Në mes të vjeshtës të ftohtit ka mbërritur më shpejt se ç’pritej.

Lajme

24/10/2014 09:48

Ata që e vuajnë më tepër uljen e temperaturave janë nxënësit e shkollave që e zhvillojnë mësimin në të ftohtë.

Situata e tillë i gjeti shumë shkolla në kryeqytet të papërgatitura me lëndë djegëse për ngrohje.

Janë nxënësit që e pohojnë me gojën e tyre se ditën e parë që ra dëborë në Prishtinë gati kanë ‘ngrirë’ nga të ftohtit, por mësimi u zhvillua normalisht.

Ngrohje në shumë shkolla nuk do të ketë as të premten.

“Jo, sot nuk kemi pasur ngrohje në klasë. Nuk i kemi hequr jaknet nga trupi asnjë minutë. Ftohtë ka qenë. Orët i kemi mbajtur të gjitha pa ndërprerje”, i kanë thënë gazetës një grup i nxënësve të shkollës fillore “Hasan Prishtina”.

Gazeta Tribuna ka vizituar edhe shkollën fillore “Meto Bajraktari”, por as aty nuk ka pasur ngrohje.

Në të dy këto shkolla, sistemi i ngrohjes është me naftë.

Por, autoritetet e Komunës së Prishtinës kanë thënë se gjatë ditës së enjte kanë marrë vetëm shtatë ankesa lidhur me motin e ligë.