Nuredini: Puna e ‘ustait’ e ktheu në shërbim radarin milionësh të Aeroportit

Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), konsideron se procedurat për rregullimin e një radari të prishur në Aeroportin e Prishtinës kanë qenë të nevojshme dhe të rregullta.

Lajme

26/04/2018 20:31

Në emisionin e tretë të ‘Jeta në Kosovë’ ku po trajtohen problemet në Aeroportin e Prishtinës, Bahri Nuredini është përgjigjur ndaj një mori pretendimesh për shkelje në Agjencinë që e drejton.

Njëri ndër radarët e Aeroportit të Prishtinës qëlloi të prishej në kohën kur nuk kishte kontratë për mirëmbajtje por zyrtarë të ASHNA-s gjetën zgjidhje alternative.

Me lejen e Nuredinit, zyrtarë të ASHNA-s kishin huazuar një pjesë nga Shqipëria dhe të njejtën e kishin modifikuar me ndihmën e një metalgdhendësi në Ferizaj.

Nuredini përballë Jeta Xharrës, shpjegoi se si dhe pse kjo paisje rezervë kishte hyrë pa doganë në Kosovë.

“Ne jemi atakuar me negativitet se pse kemi ndërhyrë dhe pse e kemi siguruar këtë paisje. Ne e kemi marrë huazim nga ALB Kontrolla. Djemtë janë ardhë në ndërrim të motmoteve, në 12 të natës, nuk e kanë lajmëruar se nuk e kanë ditë”, tha Nuredini.

Ai po ashtu vlerësoi se puna e mjeshtrit në modifikimin e pjesës ishte e domosdoshme.

“Ne do e kthejmë këtë paisje. Ne në doganë kemi dërguar shkresë dhe kemi kërkuar mirëkuptim se se kemi deklaruar në kohën kur ka hyrë….Mekanikisht nuk i ka ra dhe më ka thirë Driton Mehaj. Ajo ndërhyrje teknike që ne i themi nganjëherë usta, nganjëherë mjeshtër, ka qenë shumë e rëndësishme që e ka rregulluar dhe ne e kemi kthyer radarin në shërbim”, tha Nuredini.