Nunes s’tërhiqet nga hetimi i ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje në SHBA

Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Devin Nunes, tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga hetimet që po bën komisioni rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Bota

28/03/2017 15:08

“Gjithçka këtu është politike. Njerëzit thonë shumë gjëra dhe është politikë”, u tha zoti Nunes gazetarëve, menjëherë pasi kolegu i tij demokrat Adam Schiff qarkulloi një deklaratë ku kërkohej tërheqja e zotit Nunes.

“Ky nuk është një rekomandim që e bëj me lehtësi, pasi me Kryetarin kemi bashkëpunuar për disa vjet”, shkruante zoti Schiff. Ai shtoi se do të ishte e vështirë për publikun të ruajë besimin tek hetimi, nëse “nuk do të kishte hetim dhe mbikqyrje objektive nga kryetari”.

Sipas zëdhënësit të tij, zoti Nunes u takua në hapësirat e Shtëpisë së Bardhë me një person që dispononte materiale ku tregohej se Presidenti Donald Trump ishte përfshirë në një përgjim të rastësishëm. Zëdhënësi u tha gazetarëve se zoti Nunes shkoi në Shtëpinë e Bardhë pasi donte të ishte pranë një vendndodhjeje të sigurtë, ku mund të shikonte provat e paraqitura nga personi që takoi. Më parë, zoti Nunes nuk pati treguar se ku e kishte takuar personin dhe ende nuk ka bërë të njohur identitetin e tij. /VOA/