Nuland porosit Veselin që të themelohet Gjykata Speciale

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim Ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, zonjën Victoria Nuland.

Lajme

12/07/2015 17:13

Sipas një njoftimi për media të lëshuar nga kabineti i kryetarit të Kuvnedit të Kosovës, Veseli e ka falënderuar zonjën Nuland për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane është duke dhënë për Kosovën në avancimin e proceseve politike dhe ekonomike të saj.

“Në takim u theksua nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet evroatlantike dhe për këtë, zonja Nuland ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut me Serbinë dhe gjykata speciale.

Duke u ndalur në këtë të fundit, Nuland theksoi se është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull në mënyrë që vendi të ecë përpara, ndërsa kryetari Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcej këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Në takim u bisedua edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht themelor për të ndërtuar një ambient më kredibil për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas njoftimit, Nuland gjithashtu shprehu vlerësimet e Qeverisë amerikane për rolin shumë pozitiv dhe rezultativ që është duke dhënë shteti i Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjive të tij. Ajo siguroi se edhe në këtë rrafsh mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e plotë.