Nuk votohet hetimi për PTK’në

Seanca për formimin e Komisionit Parlamentar Hetimor për privatizimin e PTK’së ka nisur dhe është mbyllur pa deputetët e PDK’së, të cilët e bojkotuan atë. Kjo ka irituar partitë opozitare. Komisioni nuk u votua, për shkak të mungesës së kuorumit.

Lajme

03/10/2013 10:12

Deputetët e Grupit Parlamentar të PDK’së kanë bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në të cilën është diskutuar formimi i një Komisioni Parlamentar për hetimin e privatizimit të PTK’së.

Formimi i këtij komisioni është kërkuar nga 40 deputetë të grupeve parlamentare të LDK’së, Vetëvendosje’s dhe deputetë të tjerë.

Por, në seancë kanë qenë të pranishëm vetëm 53 deputetë, kështu që votimi i komisioni është lënë të bëhet në seancën e radhës.

I përballur me bojkotin e deputetëve të PDK’së, shefi i GP të LDK’së Ismet Beqiri ka kritikuar një qasje të tillë të partisë në pushtet.

“Demokracia i lejon bojkotimet, por është e habitshme që pozita, koalicioni, bojkoton ose më mirë e saboton hetimin e një çështjeje. Mospjesëmarrja e tyre dëshmon paturpësinë, pafytyrësinë e këtyre që janë thirrur për transparencë dhe mbështetjen e plotë të këtij procesi”, është shprehur Beqiri.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, bojkotin nga PDK e ka cilësuar si “tentim- puçi qeveritar”.

“Qeveria me ligj është administrator, por administratori s’ka të drejtë të shesë, por duhet pyetur publiku. Pa e marrë vendimin e Kuvendit. Këta puçist duan ta pamundësojnë që Kuvendi ta mbrojë Kosovën dhe ndërmarrjet publike nga ky veprim puçist”.

Bojkoti i PDK’së është kritikuar edhe nga Ardian Gjini, Shef i GP të AAK’së.

“Po shihet që rruga në të cilën ka hyrë Kuvendi i Kosovës është goxha problematike. Procesi i privatizimit është përcjellë me shumë parregullsi. Ky komision duhet të kthehet edhe në rastet e mëhershme. Demokracia ruhet prej njerëzve të zgjedhur e jo nga diçka hyjnore”, është shprehur Gjini.

Ai ka thënë se Grupi Parlamentar i AAK’së ka caktuar deputetin Burim Ramadani të jetë anëtar i komisionit për hetimin parlamentar të privatizimit të PTK’së, ndërsa Vetëvendosje përfaqësohet nga Visar Ymeri. LDK do të përfaqësohet nga deputetët Armend Zemaj dhe Hykmete Bajrami.

I vetmi përfaqësues nga Qeveria që ka folur në seancë ka qenë Zëvendës Kryeministri Bujar Bukoshi i cili, në nj fjalim të shkurtër, ka akuzuar deputetët e Vetëvendosjes “për sjellje jo të duhura dhe të pa nivel për një debat në Kuvendin e Kosovës”.