Nuk varet nga Serbia

Afrim Hoti thotë se anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia. Sipas tij fati i Kosovës është në duart e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Ai konsideron se Serbia mund ta pengojë Kosovën vetëm përmes Rusisë.

Lajme

23/11/2013 21:34

Deklaratat e Kryeministrit serb Ivica Dacic tregojnë edhe një herë që Qeveria serbe nuk ka vullnet për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e Kosovës.

Në një prononcim për mediat serbe Dacic ka shprehur hapur qëndrimin e Qeverisë serbe për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Por eksperti i së Drejtës Ndërkombëtare Afrim Hoti thotë se kjo është një retorikë e njohur e zyrtarëve serbë pasi që, sipas tij, shteti serb nuk e ka fuqinë për ta penguar Kosovën për anëtarësim në OKB.

Në një intervistë për lajmi.net, Hoti është shprehur se shtetit serb mund ta pengojë Kosovën vetëm përmes aleatit të vet më të madh, Rusisë e cila është njëra nga anëtaret e përhershme të OKB`së dhe si e tillë mund ta përdorë veton në nismat eventuale për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.

“Mendoj se është retorikë e njohur tashmë e Kryeministrit serb dhe nuk paraqet asnjë element, asnjë risi në politikën e tyre”.

“Mendimi im është se ka shumë pak mekanizma që janë në dispozicion të Dacicit që të mund të pengojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB sepse ky proces nuk varet nga Serbia po varet anëtarët e përhershëm e Këshillit të Sigurimit në mesin e të cilëve bënë pjesë edhe njëfarë parteri strategjik i Serbisë, në këtë rast Rusia”.

“Serbia të tërën çka mund të bëjë është të mbajë kontakte dhe që përmes Rusisë të bëhet pengesë e anëtarësimit të Kosovës. Në mënyrë direkte Serbia nuk mund ta pengojë Kosovën, sepse nuk ka të drejtë vetoje dhe as që është anëtar i Këshillit të Sigurimit”.

Pengesë kryesore për anëtarësimin e vendit nën ombrellën e OKB`së janë dy shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

I pyetur se çka duhet të bëjë Kosova në mënyrë që të shmangen pengesat e Serbisë në procesin e anëtarësimit, Hoti thotë se Kosova duhet ta ndjekë trendin e zhvillimit të brendshëm.

“Edhe Kosova nuk ka shumë mekanizma dhe nuk ka shumë opsione për ta shtyrë procesin përpara ose për të siguruar me çdo kusht anëtarësimin në OKB”.

“Anëtarësimi varet nga interesat e shteteve të mëdha në radhë të parë atyre që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit”.

“Se kur Kosova do të anëtarësohet do të varet nga interesat e shteteve të mëdha e jo nga interesat e Serbisë dhe Kosovës” ka thënë Hoti për lajmi.net.