S’po respektohet ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara (Foto/Video)

Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuar në çdo 50 punëtorë. Kjo është përcaktuar me ligj, por deri sot fare pak zbatohet.

Lajme

30/05/2016 15:33

Diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë kundrejt personave me aftësi të kufizuara ekziston në të gjitha aspektet e jetës sociale dhe private dhe është më i theksuar në punësim.

Sot në Kosovë jetojnë rreth 200,000 persona të cilët kanë kufizime të ndryshme dhe për shkak të barrierave të ndryshme që hasin në përditshmëri ata janë të pamundësuar të marrin pjesë në jetën sociale, politike, ekonomike dhe kulturore në vend, situatë kjo që e rëndojnë edhe më shumë situatën e tyre.

Këto vështirësi ndikojnë drejtpërdrejtë te një numër i personave me nevoja të veçanta të jenë pjesë apo përfitues të skemave sociale dhe të kenë mundësi të vogla për qasje në tregun e punës.

Personi me aftësi të kufizuara ka të drejtë në punësim, integrim në tregun e punës në kushte të përgjithshme dhe të veçanta. Këtë të drejtë të tyre e përcakton Ligji Nr. 03/L-019 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

HANDIKOS, People in Need dhe Shoqata e të Verbërve të Kosovës, që nga marsi i vitit 2015 janë duke zbatuar projektin “Fokusimi në aftësitë – rritja e punësimit të grupeve të margjinalizuar në Kosovë” në komunën e Prishtinës, Ferizajt dhe Prizrenit, ku për qëllim kryesor ka lehtësimin në procesin e tranzicionit të personave me nevoja të veçanta nga asistenca sociale në tregun e punës i cili projekt mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas koordinatorëve të Handakos, Rinor Gashi, në institucionet publike të Kosovës rezulton një numër shumë i ulët të punësuarish me aftësi të kufizuar.

“Punësimi i personave me aftësi të kufizuar është një proces jo i lehtë. Numri i personave me aftësi të kufizuar është jashtëzakonisht i vogël. Një numër i vogël e institucioneve kanë filluar të zbatojnë këtë ligj. Duke e pas parasysh që në administratën publike janë rreth 80 mijë të punësuar atëherë del që institucionet e Kosovës  nuk po e përmbushin aspak kuotën  ligjore që është në çdo të 50 të punësuar të jetë një person me aftësi të kufizuar”, tha kordinaotri i HANDIKOS, Rinor Gashi.

Gjithashtu, konstatohet se gati gjysma e personave me aftësi të kufizuar në tregun e punës, ishin të punësuar në sektorin privat dhe një numër i vogël janë të punësuar në institucionet shtetërore.

Zëdhënësi i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie, Musa Demiri  tha se as kjo ministri nuk ka  ndonjë statistikë se sa persona me aftësi të kufizuar janë të punësuar në Institucionet publike

“MPMS-ja me akte të veçanta nënligjore ka rregulluar dhe përcaktuar vendet e punës dhe punët e përshtatshme për këtë kategori. Ne, si ministri, nuk posedojmë të dhëna të përgjithshme për numrin e të punësuarve të kësaj kategorie”, tregon zëdhënësi i MPMS-së  Musa Demiri. /lajmi.net

YouTube player