Nuk përjashtohen sulme të reja në Siri, nëse Assadi përdor sërish armë kimike

Bombardimet sikur ato në mëngjesin e sotëm në Siri, mund të ndodhin sërish.

Bota

14/04/2018 14:15

Një gjë të tillë nuk e kanë mohuar as zyrtarët e lartë amerikanë, britanikë dhe francezë.

Të gjithë njëzëri u shprehën se nëse armët kimike përdoren përsëri nga regjimi i Assadit, ata do ta shqyrtojnë mundësinë e sulmeve tjera.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis gjatë ditës deklaroi se sulmet janë ndaluar për momentin.

“Nëse shkelen përsëri vijat e kuqe, atëherë mund të priten sulme tjera”, tha Mattis.

Njëjtë ka deklaruar edhe ministri i jashtëm francez, Yean-Yves Le Drian.

Në një konferencë për media ai tha se veprimet e reja ushtarake do të mbeten në tryezë, nëse kalohen vijat e kuqe, duke aluduar në armët kimike.

“Nuk kishte asnjë dyshim se në Douma ka pasur sulm kimik. Ishte e sigurt”, tha kryediplomati francez.

Kurse kryeministrja britanike, Theresa May në fjalimin e saj gjithashtu tha se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm.

As ajo nuk e mohoi që sulmet ajrore mund të realizohen sërish.

Por gjithë këto sulme nuk po e trembin liderin sirian, Bashr al-Assad. Ky i fundit deklaroi se bombardimet e fundit vetëm do ta bëjnë më të fortë.

Veç Iranit e Rusisë, shtetet e tjera të fuqishme kanë përkrahur veprimin e Amerikës, Britanisë dhe Francës. /Lajmi.net/