Nuk mjaftojnë vetëm sulmet ajrore!

Militantët e “Shtetit Islamik” kanë pushtuar disa pjesë të qytetit kufitar sirian të Kobanit, përkundër përpjekjeve të forcave kurde të ndihmuara nga sulmet ajrore amerikane për të mos lejuar rënien e tij. 

Bota

09/10/2014 09:16

Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson se vetëm sulmet ajrore, njëmbëdhjetë gjatë dy ditëve të fundit, nuk janë të mjaftueshme për të mposhtur militantët e organizatës terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit” (ISIL).  

Kryetari i rajonit të Kobanit, Anëar Moslem i ka thënë Zërit të Amerikës se sulmet ajrore kanë dhënë rezultate pozitive, dhe nëse Aleanca vazhdon sulmet me këtë intensitet, ato mund të ndalin militantët e Shtetit Islamik nga qytetet fqinje për t’u bashkuar në luftimet për Kobanin, ku ende ka mijëra banorë kurdë.

Zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby, ka thënë se forca ajrore e koalicionit ka limitet e saj, dhe se vetëm sulmet ajrore nuk do të rregullojnë situatën, nuk do të shpëtojnë qytetin e Kobanit nga rënia në duar të “Shtetit Islamik”, të shpallur nga ISIL-i në muajin korrik në territoret e pushtuara të Irakut dhe Sirisë.

Dhe ndryshe nga përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’iu dhënë ndihma humanitare civilëve e refugjatëve në malin Sinjar të Irakut dhe qytetin Amerli, Kirby ka thënë se për Kobanin nuk ka ende një aksion të këtillë.

“Nuk jam në dijeni të ndonjë plani për mision humanitar në Kobani. Shumë nga banorët tashmë janë larguar”, ka thënë Kirby, duke kujtuar se nga ky qytet, i cili ndodhet vetëm 200 metra larg kufirit me Turqinë, tashmë janë larguar mbi 160 mijë kurdë, të cilët janë strehuar nëpër tende nga autoritetet turke.

Por kryetari i rajonit të Kobanit, Moslem, ka thënë se mijëra gra, fëmijë dhe të moshuar vazhdojnë të jenë në Kobani dhe kanë nevojë për ndihmë.

Nga ana e tij Kirby ka përseritur se koalicioni do të vazhdojë të sulmojë objektiva të “Shtetit Islamik” atje, por ai theksoi se synimi i sulmeve ajrore është të dëmtojnë aftësitë e grupit për të pasur kontroll në Siri, Irak dhe gjetkë.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për Kobanin. I keni parë që përpiqen të rimarrin apo të kontrollojnë provincën Anbar. Ne besojmë se ata kanë në kontroll pjesën më të madhe të qyteti Hit tani që nuk është larg nga Falluxha dhe Ramadi. Dhe Falluxha dhe Ramadi nuk janë shumë larg nga Bagdadi”, ka thënë admirali.

Ai ka thënë se “durimi strategjik” është i nevojshëm në këtë betejë të gjatë kundër militantëve të “Shtetit Islamik”.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë që koalicioni do të ndërmarr më shumë veprime ofensive tokësore kundër militantëve të “Shtetit Islamik” në Siri, tek pasi të fillojë trajnimi i rebelëve të moderuar sirianë në Arabinë Saudite, por kjo është disa muaj larg.